Bashkëpunëtorët

Në këtë seksion mund të njiheni me të gjithë institucionet me të cilët bashkëpunon Shkolla e Drejtorëve të IAP për realizimin sa më mirë të veprimtarisë së saj në funksion të zhvillimit të mëtejshëm të sistemit arsimor në Shqipëri

Instituti Avney Rosha, Instituti Izraelit i Lidershipit, është themeluar në vitin 2007 si një iniciativë e përbashkët e Ministrisë së Arsimit e Izraelit dhe Fondacionit Rothschild “Yad Hanadiv” me qëllim njohjen e kontributit themelor që drejtuesit e shkollave japin për cilësinë e veprimtarisë arsimore në institucionet që ata menaxhojnë.

Instituti është i fokusuar në trajnimin dhe zhvillimin profesional të të gjithë administratorëve dhe drejtuesve të shkollave në Izrael, duke pranuar se udhëheqja e tyre është çelësi për përparimin e sistemit arsimor në Izrael. Larmia e kuadrit të punës dhe proceset e të mësuarit të përdorura nga Instituti pasqyrojnë aspiratën për të pasuruar udhëheqjen arsimore me njohuri, mjete dhe aftësi për të drejtuar përmirësimin e shkollën dhe të sistemit.

Universiteti i Tiranës u themelua në vitin 1957 dhe kishte në përbërjen e tij 6 fakultete. Në vitin 1991, nga ky universitet, në atë kohë me 11 fakultete, u shkëputën fakultetet inxhinierike, që krijuan Universitetin Politeknik të Tiranës. Universiteti Shtetëror i Tiranës, është 61 vjeçar, duke qenë dhe universiteti më i madh publik në vend. Ai është zgjedhja e parë për maturantët e shkollave të mesme. Në Universitetin e Tiranës studiojnë rreth 40 mijë studentë në të tre ciklet e studimit në sistemin me kohë të plotë dhe atë të pjesshme.

Fakulteti i Shkencave Sociale është pjesë e Universitetit të Tiranës. Fakulteti i Shkencave Sociale daton në vitin 1991, me hapjen e Fakultetit të Punës Sociale. Fakulteti i Punës Sociale, falë një bashkëpunimi me Universitetin “Gran Valey” SHBA, hapi një kurs studimi pasuniversitar në Punë Sociale. Emërtimi “Fakulteti i Shkencave Sociale” u vendos për herë të parë në vitin 1992. Ky fakultet u formua mbi bazën e Departamentit Punë Sociale, Departamentit Psikologji-Pedagogji dhe Departamentit të ristrukturuar Filozofi-Sociologji.
Me kalimin e viteve, Fakulteti i Shkencave Sociale u rrit, si në cilësinë e stafit, ashtu edhe në larminë e specialistëve që ai filloi të diplomonte. Kështu, në vitin 1996 u hap dega e Psikologjisë dhe në vitin 2000 u hap dega e Shkencave Politike. Në vitin 2009 u krijuan departamentet e Sociologjisë, Filozofisë dhe Shkencave Politike. Sot fakulteti, ka 5 departamente, si dhe 3290 studentë në të gjitha ciklet e studimit.

Misioni i Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar (ASCAP) është që t’i ofrojë Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë si dhe institucioneve arsimore të të gjitha niveleve ekspertizë dhe këshillim me nivel të lartë profesional, të mbështetur në rezultatet e punës kërkimore-studimore dhe praktikës së arsimit.

Qendra e Shërbimeve Arsimore është institucion i posaçëm për organizimin, monitorimin, mbikëqyrjen e problemeve të reformës arsimore për sigurimin e cilësisë në fushën e vlerësimit të arritjeve dhe të provimeve. Ajo ushtron funksion teknik, profesional, mbështetës dhe rekomandues të politikave të vlerësimit dhe të organizimit të provimeve të maturës e të shtetit.
Qendra e Shërbimeve Arsimore (QSHA) është krijuar me vendimin e Këshillit të Ministrave Nr.371, datë 26.04.2017.

Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar (DPAP) ka për mision ofrimin dhe sigurimin e shërbimit arsimor cilësor në të gjitha institucionet arsimore të sistemit parauniversitar në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me politikat, strategjitë kombëtare dhe kurrikulën e arsimit parauniversitar, me qëllim zhvillimin dhe edukimin e plotë e të gjithanshëm të nxënësit, në mënyrë që të përballojë sfidat e së ardhmes.

DRAP-të dhe ZVAP-të janë vijim i DRA/ZA-ve, krijuar me Urdhër Nr. 234 dt. 19.04.2019 “Për miratimin e strukturës dhe të organikës së zyrave vendore të arsimit parauniversitar”, me qëllimin për ta çuar shërbimin sa më pranë secilës bashki e shkollë në vend. Ato luajnë një rol kyç në mbarëvajtjen e procesit mësimor dhe në cilësinë e arsimit parauniversitar në Shqipëri.
DRAP-të ushtrojnë funksionin e tyre në 4 rajone – Lezhë, Durrës, Fier dhe Korçë, duke përfshirë në strukturën e tyre, respektivisht, 51 ZVAP-të e krijuar në çdo qytet të vendit.