Thirrje për Shprehje Interesi

Posted on 29/06/2022

Kjo Thirrje për Shprehje Interesi u drejtohet ekspertëve kombëtarë që kanë  ekspertizë profesionale në fushën e Lidershipit/Drejtimit Institucioneve të  Arsimit Parashkollor  dhe Zhvillimit të Fëmijërisë së Hershme

Aplikantët e interesuar do të angazhohen  si ekspertë në procesin e hartimit të Moduleve dhe të Manualit të Trajnimit për  Programin e  Trajnimit të Detyrueshëm (CTP) për drejtorët dhe  aspirantët për drejtorë të institucioneve të arsimit parashkollor në Shqipëri

 

Prezantimi i Qendrës “Shkolla e Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar”(CSL) 

 

Qendra Shkolla e Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar(CSL) është krijuar si rezultat i bashkëpunimit ndërmjet Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) dhe Ministrisë së Arsimit & Sportit ( MAS) me qëllim mbështetjen e zhvillimit profesional të drejtorëve në detyrë dhe kandidatëve që synojnë të bëhen drejtues  në institucionet arsimore parauniversitare publike apo private. Qendra e realizon këtë mision nëpërmjet administrimit të Programit të Trajnimit të Detyrueshëm ( CTP) përgatitor për drejtues të këtyre institucioneve , i cili përmbyllet me procesin e testimit dhe certifikimit  si  dhe përmes Programit të  Trajnimit për Zhvillim të Vazhdueshëm Profesional ( CPD) për drejtuesit e mësuesit që punojnë në to.

Kjo nismë e strukturuar dhe e qëndrueshme mes AADF dhe MAS është institucionalizuar në marrëveshjen e tyre të nënshkruar më 04 Tetor 2018. Nëpërmjet saj është  adresuar nevoja thelbësore që ka i gjithë sistemi arsimor për zhvillimin profesional të drejtorëve të shkollave, bazuar në përfitimet e larta që mund të ketë  gjithë sistemi.  Për këtë arsye është  investuar në këtë aspekt  që lidhet me drejtimin e administrimin  suksesshëm të institucioneve të arsimit parauniversitar .

Në këtë kuadër Ministria e Arsimit dhe Sportit ( MAS)  propozoi dhe më pas Kuvendi i RSH  miratoi Ligjin Nr. 48/2018 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin Nr. 69/2012 “Për sistemin arsimor parauniversitar në Shqipëri”. Nga pikëpamja ligjore u bë e detyrueshmë që cdo drejtues në detyrë apo kandidat( aspirant) i cili synonte të bëhej drejtues në institucionet e arsimit parauniversitar,  duhet të ndiqte Programin e Trajnimit të Detyrueshëm ( CTP) përgatitor dhe procesin e testimit për certifikim të realizuar nga CSL.

Mbështetur  në këtë ligj të rishikuar, Këshilli i Ministrave miratoi VKM Nr 540/2018 dt. 19.09.2018 “Për organizimin dhe funksionimin e Shkollës së  Drejtorëve të Institucioneve  të Arsimit Parauniversitar për  trajnimin dhe certifikimin e tyre”, ku u përcaktua roli , detyrat dhe përgjegjësistë e mënyra e administrimit të këtij institucioni.

 

Misioni ynë: Rritja profesionale e drejtuesve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar përmes zhvillimit të aftësive menaxheriale dhe administruese falë një programi trajnimi cilësor dhe të vazhdueshëm.

Vizioni ynë: Drejtues të mirëkualifikuar që ndikojnë pozitivisht në mjedisin shkollor dhe jashtë tij dhe rrisin drejtpërdrejt cilësinë e arsimit në Shqipëri.

 

Sfondi

Drejtimi  i shkollës luan një rol të rëndësishëm në përmirësimin e rezultateve të përgjithshme të saj, duke ndikuar në motivimet dhe kapacitetet e mësuesve, si dhe në klimën dhe ambientin  që e rrethon atë. Qëllimi kryesor i Qendrës “ Shkolla e Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar”(CSL) është krijimi  i një programi trajnimi me cilësi të lartë që synon përgatitjen sa më  të mirë të  drejtorëve të shkollave.

Sipas Ligjit shqiptar Nr.48, datë 23.07.2018, drejtorët e shkollave të institucioneve arsimore parauniversitare kanë detyrim ligjpr të ndjekin Programin e  Trajnimit të Detyrueshëm (CTP) përgatitor dhe të përfundojnë me sukses procesin e testimit për  certifikim. Sipas të njëjtit Ligj (Nr.48, 23.07.2018), Qendrës “ Shkolla e Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar”(CSL) është institucioni i caktuar me ligj  që ka përgjegjësinë për të kryer procesin e trajnimit dhe certifikimit të drejtorëve në detyrë të institucioneve të arsimit parauniversitar dhe kandidatëve që aspirojnë të bëhen drejtues në të ardhmen.

Qendra “Shkolla e Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar”(CSL) në Shqipëri ka tashmë një përvojë të dëshmuar në zhvillimin e realizimin e Programit të Trajnimit të Detyrueshëm përgatitor dhe të procesit të certifikimit për drejtuesit në detyrë  si edhe për ata që aspirojnë të bëhen drejtues shkollash, deri në Maj 2022 ka certifikuar 334 drejtues e kandidatë për drejtues të  shkollave  në Shqipëri.

Ky program bazohet në modelin e suksesshëm të Institutit të Lidershipit të Arsimit “ Avney Rosha” –Tel Aviv,  Izrael, për trajnimin dhe certifikimin e drejtorëve të institucioneve të arsimit paarauniversitar . Ai është  përshtatur me nevojat dhe standardet më të fundit profesionale të drejtorëve të arsimit parauniversitar në Shqipëri dhe është akredituar nga Komisioni i Akreditimit të Programeve të Trajnimit ( KAPT) pranë Ministrisë së Arsimit Rinisë dhe Sportit.

Programi përmban 9 module dhe ka një shpërndarje mes orëve teorike dhe praktike. Të gjithë pjesëmarrësit që përfundojnë me sukses programin e trajnimit, lejohen t’i nënshtrohen procesit të Testimit për  Certifikim.

 

Testimi për Certifikim përbëhet nga tre seksione:

 

  • Projekti Përfundimtar: Paraqitja dhe vlerësimi i një projekt propozimi nga ana e pjesëmarrësve në program ku drejtuesit në detyrë e lidhin projekt idenë me zgjidhjen e një problematike me  shkollat që drejtojnë ndërsa kandidatët për drejtues ( nëndrejtorët/mësuesit) e kanë të lidhur me shkollat ku kanë kryer praktikat profesionale gjatë programit ( Matrica e Vetëvlerësimit dhe Plani i Veprimit
  • Pyetjet me alternativa: Vlerësimi i njohurive të përgjithshme të marra gjatë programit të trajnimit përmes testit , ku janë përfshirë pyetje me alternativa që u përkasin moduleve të  zhvilliuara në kuadër të Programit të Trajnimit të Detyrueshëm përgatitor.
  • Rastet studimore:  Zgjidhja e rasteve studimore me problematika e tematika të lidhur me modulet e  zhvilluara në kuadër të Programit të Trajnimit të Detyrueshëm përgatitor, të cilat masin aftësitë e lidershipit në shkollë për të zgjidhur situata e për të marrë vendimet e duhura.

 

Në bazë të përcaktimeve ligjore, në bazë të  Ligjit Nr. 48/2018 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin Nr. 69/2012 Qendra “Shkolla e Drejtorëve të Institucionevr të Arsimit Parauniversitar”(CSL)  brenda vitit 2022,  do të ofrojë edhe Programin e Trajnimit të Detyrueshëm (CTP) për drejtorët e kandidatët për drejtorë të institucioneve të arsimit parashkollor në të gjithë Shqipërinë.

Për këtë arsye, Qendra “ Shkolla e Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar(CSL) është aktualisht në procesin e  hartimit të Programit të Trajnimit të Detyrueshëm  për drejtuesit e institucioneve të arsimit parashkollor .

Në kuadër të hartimit të këtij programi, Agjencia Kombëtare e Sigurimit të Cilësisë të Arsimit Parauniversitar( ASCAP)  ka hartuar “Standardet profesionale për drejtuesit e institucioneve të arsimit parashkollor”. Standardet që përcaktojnë punën e drejtorëve në institucionet e arsimit parashkollor janë si më poshtë:

 

  1. Etika dhe komunikimi;
  2. Misioni, vizioni dhe plani i zhvillimit të institucionit parashkollor;
  3. Ndryshimet nga drejtimi brenda institucionit arsimor;
  4. Zhvillimi dhe rritja profesionale;
  5. Zbatimi i kurrikulës dhe mësimdhënia me në qendër fëmijën;
  6. Partneriteti kopësht-familje-komunitet dhe bashkëpunimi ndërinstitucional;
  7. Menaxhimi i burimeve njerëzore dhe financiare.

Pas hartimit të “Standardeve profesionale për drejtuesit e institucioneve të arsimit parashkollor”, Qendra “ Shkolla e Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar(CSL) ka bashkëpunuar me Agjencinë Kombëtare të Sigurimit të Cilësisë së Institucioneve Parauniversitar (ASCAP) për të identifikuar nevojat për trajnim dhe zhvillim profesional të drejtorëve të arsimit parashkollor.

Në  këtë proces , drejtorët e këtyre institucioneve kanë kryer një vetëvlerësim për nevojat e tyre për trajnim dhe zhvillim profesional, duke iu referuar treguesve të 7 standardeve të drejtuesve. të institucioneve të arsimit parashkollor të cilat janë përmendur më sipër.

Hapi tjetër i këtij procesit do të jetë hartimi i  Moduleve e Manualit të Programit të Trajnimit të Detyrueshëm për drejtorët e kandidatët për drejtorë të  institucioneve të  arsimit parashkollor

Në këtë kuadër Qendra “ Shkolla e Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar(CSL) synon të bashkëpunojë me ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë që do të angazhohen në hartimin e përmbajtjes së moduleve , kohëzgjatjes së  programit të  përgjithshëm të trajnimit dhe elementë të tjerë të rëndësishëm sic janë  orët e praktikës profesionale dhe mentorimit.

 

Sistemi i Arsimit Parashkollor në Shqipëri

Arsimi parashkollor është pjesë e sistemit arsimor dhe është niveli me kodin 0. Referuar Strategjisë Kombëtare të Arsimit 2021-2026 si edhe mbështetur  në të dhënat e vitit 2018/2019, në Republikën e Shqipërisë janë 1901 kopshte publike dhe 162 kopshte private. Kopshtet janë gjithëditore (me ushqim) dhe gjysmëditore (pa ushqim). Një pjesë prej koshteve pubkike janë në godina të vecanta ndërsa pjesa tjetër janë pjesë e klasave përgatitore parashkollore në shkollat fillore e 9 vjecare qoftë në zonat urbane apo rurale të RSH.

Sipas Nenit 21, të ligjit Nr. 69/2012, i ndryshuar, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, arsimi parashkollor synon zhvillimin social, intelektual dhe fizik të çdo fëmije, ushtrimin e rregullave të sjelljes dhe higjienës, kultivimin e vlerave dhe përgatitjen. për arsimin fillor. Në të marrin pjesë fëmijë nga 3 deri në 6  vjeç. Fëmijëve të moshës 5  vjeçare u mundësohet ndjekja e mësimit përgatitor në shkollat ​​fillore, me qëllim të integrimit në arsimin e detyrueshëm.

Neni 55/1 i Ligjit Nr. 69/2012, , “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë , i ndryshuar  përcakton procedurat për  “emërimin dhe shkarkimin e drejtorit të institucionit të arsimit parashkollor”. Në mbështetje të këtij neni, si dhe për rritjen e cilësisë së shërbimeve në kopshte, Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar ( ASCAP ) me mbështetjen teknike të UNICEF-it, ka hartuar “Standardet profesionale për drejtuesit e institucioneve të arsimit parashkollor”.

Ligji kërkon që drejtuesi, i cili ka për detyrë drejtimin e  veprimtarisë së institucionit arsimor,  duhet të jetë  përgjegjës për përmirësimin e cilësisë së shërbimit arsimor, për zbatimin dhe zhvillimin e kurrikulës, për menaxhimin e burimeve njerëzore, si dhe për menaxhimin e burimeve financiare.

Zotërimi i njohurive në fusha të veçanta, si: a)funksionimi i sistemit të arsimit parashkollor, b)politikat në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, që lidhen me zhvillimet e fëmijërisë së hershme, c)zhvillimi dhe mësimi i fëmijëve parashkollorë, d)bashkëpunimi me prindërit, si partnerë kryesorë dhe më të interesuar për cilësinë. e shërbimeve në kopsht, e)nxitja e mësuesve për zhvillim profesional dhe rritja e cilësisë së shërbimeve ndaj fëmijëve, prindërve dhe komunitetit etj., kërkon që drejtuesi i instituciionit të arsimit parashkollor të  përfshihet sistematikisht në formim profesional. Këtij procesi i paraprin formimi i një lideri të institucionit arsimor  sipas standardeve profesionale dhe përvojave më të mira ndërkombëtare.

 

Qëllimi i shërbimit

Qëllimi i këtij shërbim është hartimi i Moduleve dhe Manualit të Trajnimit për Programin e Trajnimit të Detyrueshëm për Drejtorët e Parashkollorëve dhe drejtorët aspirantë.

Qendra “ Shkolla e Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Paraunivetsitar “ ( CSL)  në bashkëpunim me Agjencinë për Sigurimin e Cilësisë të Institucioneve Parauniversitar ( ASCAP)  kanë përfunduar Vlerësimin e Nevojave për Trajnim dhe Zhvillim Profesional të Drejtorëve të  Institucioneve të Arsimit Parashkollor.

Pas procesit të identifikimit të nevojave për trajnim të drejtorëve të  institucioneve të arsimit parashkollor, CSL do të vazhdojë me hartimin dhe zhvillimin e Moduleve e Manualit të Trajnimit i cili do të përdoret si udhërrëfyes për trajnerët që do të përfshihen në këtë program.

Ekspertët e kontraktuar do të angazhohen në detyra të ndryshme si  më poshtë:

  • Bashkëpunimi si ekspert kombëtar me  grupin e punës  që ka në përbërje ekspertë ndërkombëtarë, për të hartuar e zhvilluar Modulet e Manualin e Programit të Trajnimit të Detyrueshëm për drejtues të arsimit parashkollor. Roli i ekspertit në këtë rast do të jetë zhvillimi i përmbajtjes së strukturës së  temave të  moduleve, që janë propozuar e hartuar nga ekspertë ndërkombëtarë;
  • Dhënia e rekomandimeve , sugjerime për temat/përmbajtjet më të përshtatshme që duhet të përfshihen në Manualin e Programit të Trajnimit të Detyrueshëm për drejtues të arsimit parashkollor.

Bazuar në nevojat e  CSL , eksperti mund të angazhohet në një ose më shumë nga detyrat e shpjeguara më lart;

 

Pritshmëritë  nga CSL

Përmes kësaj Thirrje  për Shprehje Interesi, CSL  pret të kontraktojë ekspertë kombëtarë të cilët do të punojnë ngushtë me  stafin e institucionit dhe ekspertët ndërkombëtarë për të hartuar dhe zhvilluar Modulet e Manualin e Trajnimit për  Programin e  Trajnimit të Detyrueshëm (CTP) për drejtorët dhe kandidatët( aspirantët)  për drejtues  të institucioneve të arsimit parashkollor

 

Kualifikimi dhe Përvoja e Ofruesit të Shërbimeve

Qendra “ Shkolla e Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar “ ( CSL)    kërkon të identifikojë dhe kontraktojë ekspertë kombëtarë që kanë një  njohuri e kuptim të thellë të proceseve të mësimdhënies, të nxënit dhe drejtimit në isntitucionet e arsimit parashkollor. Kriteret bazë që kërkohen  të përmbushen nga ekspertët  kombëtarë janë si më poshtë

  • Ekspertizë e fortë në fushën e mësimdhënies, mësimnxënies , drejtimit dhe menaxhimit të institucioneve të arsimit parashkollor.
  • Njohuri të përditësuara në fushën e drejtimit të institucioneve të arsimit parashkollor, veçanërisht marrëdhëniet ndërmjet rolit të drejtorit dhe përmirësimit të mësimdhënies, të nxënit dhe arritjeve të fëmijëve.

 

Kriteret e vlerësimit dhe përzgjedhjes

Aplikantët do të vlerësohen nga një komision i Qendrës “ Shkolla e Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar “ ( CSL) .

Komponentët që do të vlerësohen janë si më poshtë:

  • Njohuri dhe përvojë pune mbi lidershipin dhe menaxhimin në arsimin e hershëm të fëmijëve ( arsimi parashkollor), përmirësimin e cilësisë, zhvillimin e sistemeve dhe programeve të arsimit të hershëm dhe mbi  politikat që mbështesin drejtimin e institucioneve të arsimit parashkollor.
  • Njohuritë mbi kontekstin arsimor në Shqipëri, apo kontekste të ngjashme janë një përparësi për aplikantin/en.
  • Oferta Financiare.

 

Paraqitja e aplikimit

Aplikantët e interesuar do të sjellin dokumentet e kërkuara si më poshtë:

– Kopje e një CV (ju lutemi përfshini në CV-në tuaj një listë të publikimeve në lidhje me  Drejtimin e Institucioneve të Arsimit  Parashkollor)

– Oferta financiare (ju lutemi specifikoni tarifën/orë ose tarifë/ditë)

 

Të gjitha informacionet e kërkuara duhet të dorëzohen në adresën e emailit info@csl.edu.al  jo më vonë se data 15 korrik 2022.

Për pyetje në lidhje me Thirrjen për Shprehje Interesi, ju lutemi dërgoni një email në adresën e emailit info@csl.edu.al