Ceremonia e Diplomimit të Brezit të 2-të në Shkollën e Drejtorëve

Posted on 25/01/2022

Shkolla e Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar (CSL) është bashkë-themeluar nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) dhe Ministria e Arsimit dhe Sportit në Tetor 2018 me qëllimin për të zhvilluar kapacitetet drejtuese të drejtorëve në detyrë dhe aspirantëve për t’u bërë drejtues shkolle.

Për këtë qëllim është krijuar një program trajnimi, i mbështetur në modele të suksesshme për rritjen e aftësive menaxhuese të drejtuesve të shkollave duke u përshtatur me nevojat dhe standardet më të fundit të zhvillimit  profesional dhe kualifikimin e drejtuesve të shkollave në Shqipëri.

Më 21 Janar 2022, Shkolla e Drejtorëve të IAP, organizoi Ceremoninë e Diplomimit të Brezit të 2-të të pjesëmarrësve që përfunduan me sukses Programin e Trajnimit të Detyrueshëm Përgatitor (CTP) (Tetor 2020- Korrik 2021) për certifikimin si drejtues të IAP.

Nga 209 pjesëmarrës që nisën CTP më 16 Tetor 2020, u certifikuan 184 pjesëmarrës të cilët finalizuan me sukses një rrugëtim të mbushur me sfida.

Nga pjesëmarrësit e certifikuar në Brezin e 2-të, 84 prej tyre janë drejtues shkollash në detyrë ndërsa 100 janë nëndrejtorë dhe mësues që aspirojnë për të drejtuar institucionet arsimore parauniversitare.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin: zj.Evis Kushi, Ministre e Arsimit dhe Sportit, z. Martin Mata dhe z. Aleksandër Sarapuli, Bashkë-drejtorët Ekzekutivë të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, si edhe përfaqësues të institucioneve arsimore në vend, partnerë e bashkëpunëtorë të Shkollës së Drejtorëve.

Në fjalën e saj përshëndetëse zj. Kushi, Ministre e Arsimit dhe Sportit, u shpreh se “Roli i drejtorit të shkollës është kyç në garantimin e cilësisë dhe mbarëvajtjes së të gjitha procesve që kanë lidhje me shkollën.Jam shumë besimplotë që do të jepni kontribut me vlerë në garantimin e cilësisë në institucionet tona arsimore

Pjesëmarrësit me rezultate me të larta në testimin për certifikim u vlerësuan me çmime në ceremoninë e diplomimit. Gjithashtu, u vlerësuan me certifikata mirënjohjeje 24 mentorë – drejtorë shkollash të cilët mirëpritën dhe mbështetën në institucionet  e tyre pjesëmarrësit që zhvilluan praktikat  profesionale.

Impakti që pati në karrierën profesionale për të certifikuarit e Brezit të 1-rë, ku 90% e tyre patën mundësi të rriteshin profesionalisht, u shoqërua me interesim të lartë aplikimesh dhe 4-fishimin e numrin e pjesëmarrësve në këtë program për Brezin e 2-të.

Rritja e numrit të pjesëmarrësve të Brezit të 2-të u shoqërua me shtrirjen  e hartës së ofrimit të Programit të Trajnimit në Tiranë, Elbasan dhe Durrës si dhe me zgjerimin e bashkëpunimit me 4 universitete që ofrojnë programin trajnues në mënyrë të unifikuar dhe konform formatit dhe cilësisë së kërkuar të tij.

Shkolla e Drejtorëve është  krenare për çdo të diplomuar  që me njohuritë e fituara do të drejtojë shkollat e arsimit parauniversitar,  duke ofruar atë vizion  dhe përkushtim që bën të mundur një mjedis ku formohen nxënës të aftë për sfidat e së ardhmes.