Dita Botërore e Drejtësisë Sociale

Posted on 24/02/2021

26 Nëntor 2007, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara vendosi të aprovojë 20 Shkurtin si Ditën Botërore të Drejtësisë Sociale. Ashtu siç na flet dhe vetë emri, Dita Botërore e Drejtësisë Sociale njeh nevojën për të promovuar drejtësinë sociale, e cila përfshin përpjekje për të trajtuar çështje të tilla si varfëria, gjithëpërfshirja, barazia gjinore, papunësia, të drejtat e njeriut dhe mbrojtja sociale.

Në çdo përkufizim të mundshëm zyrtar që i është bërë konceptit të drejtësisë sociale do të gjejmë tre të përbashkëta midis tyre:

  • Të drejta të barabarta
  • Mundësi të barabarta
  • Trajtim i barabartë

Këto tre koncepte janë dhe vlerat thelbësore që përpiqet të promovojë kjo ditë.

Çdo vit, OKB përzgjedh një temë për ta trajtuar mes shteteve anëtare dhe për vitin 2021 u caktua kjo temë: “Një Thirrje për Drejtësi Sociale në Ekonominë Digjitale”. Përkujtimi i këtij viti mbështeti përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar për të kërkuar zgjidhje për të arritur një zhvillim të qëndrueshëm, çrrënjosjen e varfërisë, promovimin e punësimit të plotë, mbrojtjes sociale universale, barazisë gjinore dhe aksesit në mirëqenien sociale dhe drejtësinë për të gjithë.

Një fushë e një rëndësie të veçantë për trajtimin e drejtësisë sociale është fusha e arsimit.

Drejtësia sociale në arsim mund të ketë dy forma: drejtësia sociale në të gjithë sistemin arsimor dhe drejtësia sociale në shkollë. Kur faktorë si pasuria, gjinia apo etnia përcaktojnë shkollimin që mund të marrë një nxënës, atëherë kemi të bëjmë me një shembull të padrejtësisë sociale.

Drejtësia sociale në arsim mund të promovohet në mënyra të ndryshme. Gjurmimi i statusit social dhe ekonomik të nxënësve është një mënyrë e mirë për të mbledhur informacion, për të identifikuar ata që kanë vështirësi, sidomos ato lloj problemesh që mund të çojnë në braktisje të shkollës.

Mësuesit mund të promovojnë drejtësinë sociale duke u siguruar nxënësve perspektiva të shumëanshme dhe duke i inkurajuar të shohin përtej vetes. Në këtë mënyrë do të nxitet i menduari analitik dhe do të zgjerohen kapacitetet për të luftuar pabarazitë. Angazhimi i mësuesve që të hulumtojnë dhe studiojnë vazhdimisht për drejtësinë sociale është vlerë e shtuar. Përfshirja dhe trajtimi i gjithanshëm në sa më shumë module i këtij koncepti do të ishte me vend.

Roli i drejtuesve të shkollave në drejtësinë sociale

Arritja e drejtësisë sociale në shkolla nuk mund të përjashtojë rolin e drejtuesve të shkollave në këtë  proces. Shkollat janë mjedise që përfshijnë individë të ndryshëm, si nxënës ashtu dhe mësues, me dallime në statusin social dhe atë ekonomik. Drejtorët e shkollave që të sigurojnë drejtësi sociale duhet të jenë së pari vetë “aktivist” duke nxitur pastaj bashkëpunimin mësues-nxënës dhe komunitet për të ulur pabarazitë ose për të ndihmuar suksesin e nxënësve dhe të mësuesve pavarësisht pabarazive. Drejtuesve kështu iu lind përgjegjësia e rëndësishme e institucionalizimit të drejtësisë sociale në shkolla.

 

Autorët:

Alesia Makaj, R&D Intern, Shkolla e Drejtorëve

Loreda Meta, Intern, Shkolla e Drejtorëve

 

 

Referenca:

https://en.wikipedia.org/wiki/World_Day_of_Social_Justice

https://www.un.org/en/observances/social-justice-day

https://www.humanrightscareers.com/issues/what-is-social-justice-in-education/

https://www.researchgate.net/publication/333761111_School_Leaders’_Contribution_to_Social_Justice_A_Review

https://core.ac.uk/download/pdf/82209043.pdf