Dita Botërore e Librit dhe e të Drejtës së Autorit

Posted on 22/04/2021

23 Prilli është një datë simbolike për letërsinë botërore sipas UNESCO (Organizata e Kombeve të Bashkuara Arsimore, Shkencore dhe Kulturore) . Për shkak se ishte pikërisht kjo datë në 1616 që Cervantes, Shakespeare dhe Inca Garcilaso de la Vega ndërruan jetë. Është gjithashtu data e lindjes ose vdekjes së autorëve të tjerë të shquar, të tillë si Maurice Druon, Haldor K.Laxness, Vladimir Nabokov, Josep Pla dhe Manuel Mejía Vallejo.

Dita Botërore e Librit dhe e Drejtës së Autorit u krijua në 1995 nga UNESCO, për të inkurajuar të gjithë, dhe në veçanti të rinjtë, të zbulojnë kënaqësinë e leximit dhe të fitojnë një respekt për kontributet e pazëvendësueshme të atyre që kanë çuar më tej përparimin shoqëror dhe kulturor të njerëzimit. Duke pasur këtë në mendje, UNESCO krijoi Ditën Botërore të Librit dhe të Drejtës së Autorit.

Kjo ditë synon të rrisë ndërgjegjësimin në lidhje me përfitimet e leximit të librave. Gjithashtu synon të nxjerrë në pah fuqinë e librave dhe aftësinë e tyre për t’u dhënë lexuesve njohuri dhe vlera. Dita Botërore e Librit dhe e të Drejtës së Autorit përforcon idenë se librat shërbejnë si dritare në botë të ndryshme, si në atë imagjinare dhe në atë jo-trilluese. Kjo ditë inkurajon njerëzit e të gjitha moshave të kuptojnë vlerën e librave dhe të lexojnë më shumë. Gjithashtu shërben për të falënderuar ata autorë dhe artistë që krijuan veprat dhe zotohen të vazhdojnë të mbrojnë punën e tyre përmes të drejtave të autorit.

Gjatë muajit prill dhe gjatë gjithë vitit, është e rëndësishme të merrni kohë për të lexuar vetë, me fëmijët apo me studentët tuaj. Është një kohë për të festuar rëndësinë e leximit, për të nxitur rritjen e fëmijëve si lexues, dhe për të promovuar një dashuri të përjetshme për letërsinë dhe integrimin në botën e punës.

Mesazh nga z. Audrey Azoulay Drejtor i Përgjithshëm i UNESCO:

“Librat gjithmonë kanë pasur aftësinë unike për të të argëtuar dhe për të të mësuar. Ata janë një mënyrë për të eksploruar mbretëri përtej përvojave tona vetjake nëpërmjet ekspozimit ndaj autorëve të ndryshëm, por edhe universeve dhe kulturave të ndryshme, si dhe një mënyrë për t’u futur në skutat më të thella të vetes sonë. Faqe pas faqe, librat na ndriçojnë udhën që përshkojmë të palidhur nga koha, ose kufijtë; me fjalë të tjera, na japin liri. Kur festojmë librat, po festojmë edhe autorët e tyre, të cilët na ofrojnë grimca të jetës me pikëpamje në realitete të ndryshme. Na hapin dritare në botë, një këndvështrim të ri. Për këtë arsye, festohet më 23 prill, dita kur vdiq William Shakespeare, Miguel de Cervantes dhe Inca Garcilaso de la Vega, shkrimtarë të cilët e kanë mbajtur imagjinatën tonë të mbërthyer për shekuj me radhë. Gjithashtu, ne nderojmë të gjitha profesionet që lidhen me librat: redaktimin, botimin dhe përkthimin. Janë këto fusha që bëjnë të mundur shpërndarjen e trashëgimisë sonë, mundësojnë që krijimet e reja të kenë një vend ku mund të shprehen, si dhe mundësojnë përhapjen e ideve. Këto profesione duhen mbrojtur dhe vlera e tyre duhet njohur. Në këtë vit të Ditës Botërore të Librit dhe të të Drejtave të Autorit, i nxis të gjithë të marrin nga një libër, të fillojnë t’i shfletojnë faqet dhe të thithin prej tij ajrin e freskët që të ndihmon sot dhe do të të ndihmojë edhe në të ardhmen.

 


 

Përgatiti: Daniela Bardhaj, Intern R&D, Shkolla e Drejtorëve

 

Referenca:

https://www.un.org/en/observances/book-and-copyright-day

https://www.wincalendar.com/World-Book-and-Copyright-Day

https://unesdoc.unesco.org/ark:/48223/pf0000373281_eng