Dita Botërore e Shkrimit Braille (Braj)

Posted on 03/01/2021

4 janari njihet si “Dita Botërore e Shkrimit Braille” dhe përkon me datën e lindjes së Luis Braille (4 janar 1809), krijuesit të këtij sistemi shkrimi për personat e verbër ose me vështirësi në shikim. Si shkak i një aksidenti gjatë fëmijërisë, Braille mbeti i verbër në të dy sytë, megjithatë ky kufizim nuk e ndaloi të studionte dhe të arrinte sukses.

Gjatë studimeve të tij, në 1824, vetëm 15 vjeç, i frymëzuar nga kriptografia ushtarake e ushtrisë franceze, Braille zhvilloi një sistem kodesh në reliev të përbërë prej 6 pikash, në 3 rreshta, që mund të lejonte të verbërit të lexonin dhe shkruanin në mënyrë efikase. Për herë të parë ky shkrim u aplikua në 1854, nga “Instituti Mbretëror i Francës për të Rinjtë e Verbër”, shkolla që L. Braille kishte ndjekur kur ishte fëmijë. Sistemi Braj përmban shkronjat e alfabetit, numrat, simbole muzikore, matematikore dhe shkencore. Shkrimi mund të lexohet duke kaluar mollëzat e gishtave mbi pikat e shkruara.

Alfabeti shqip në gjuhën e pikave është përgatitur nga Dilaver Zgjani dhe Liri Kamberi bazuar në alfabetin francez të Luis Braille, përshtatur veçorive të gjuhës shqipe. U miratuar nga Ministria e Arsimit në vitin 1963 si alfabeti zyrtar i të verbërve në Shqipëri. Po atë vit filluan të shkruhen tekstet e para në shqip me këtë sistem.

Shkrimi Braille është thelbësor në kontekstin e arsimimit, lirisë së shprehjes dhe mendimit, si dhe përfshirjes sociale, sikurse parashikohet nga neni 2 i “Konventës për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara”.  Kjo ide gjeniale, por e thjeshtë në përdorim, ka bërë të mundur prodhimin e librave dhe materialeve për lexim në një shkallë të gjerë nga personat e verbër ose me shikim të pjesshëm. Falë këtij sistemi, nxënësit e verbër kanë mundësinë të ndjekin shkollën dhe të lexojnë për kënaqësi po aq lehtë sikurse çdo person tjetër.

Aktualisht në Shqipëri, alfabeti në reliev përdoret pranë “Institutit të Nxënësve që Nuk Shikojnë”, ku marrin mësim rreth 60 fëmijë të verbër ose me vështirësi me shikimin. E gjithë kurrikula pranë Institutit ofrohet në libra që përdorin shkrimin Braille dhe versionin audio, me të njëjtat tekste si bashkëmoshatarët e tyre në çdo shkollë shqiptare.

Gjithashtu, 12 000 pjesëtarë të komunitetit të personave që nuk shikojnë apo me vështirësi në shikim e  përdorin këtë alfabet.

Përveç të drejtës për arsimin e fëmijëve që nuk shikojnë, siguruar kjo nga neni 5 i Ligjit Nr. 69/2012 “Për Sistemin Arsimor Parauniversitar në Republikën e Shqipërisë” çdo institucion publik ka detyrim të sanksionuar nga legjislacioni shqiptar në fuqi t’u sigurojë të verbërve shërbim, aksesueshmëri dhe përfshirje. Bazuar mbi Ligjin Nr. 93/2014 “Për Përfshirjen dhe Aksesueshmërinë e Personave me Aftësi të Kufizuara”, Ligjin Nr. 119/2014 “Për të Drejtën e Informimit” dhe Ligji Nr. 146/2014 “Për Njoftimin dhe Konsultimin Publik”, institucionet janë të detyruara të mos kenë barriera për  aksesimin e informacionit nga të verbërit, duke u siguruar që dokumentat të jenë në shkrimin Braille dhe uebfaqet në formate të lexueshme nga të verbërit. Kriteret e aksesueshmërisë sa më sipër do t’u ofronin individëve me probleme në shikim pavarësi në përdorimin e çfarëdo shërbimi.

Për sigurimin e standardeve të sipër përmendura dhe integrimin e fëmijëve që nuk shikojnë, instituti i çelur në 6 nëntor të vitit 1963, për këta nxënës, ka ndërmarrë disa nisma vitet e fundit, të cilat kanë gjetur mbështetje nga disa institucione, duke përfshirë Shkollën e Drejtorëve, e cila ka mirëpritur drejtuesin e parë të këtij instituti, dhe i ka ofruar gjithçka në format të aksesueshëm, për një drejtues me vështirësi shikimi.

Shkolla e Fëmijëve që nuk shikojnë dhe Shkolla e Drejtorëve ndajnë përveç të tjerash filozofinë e gjitëpërfshirjes: duke tejkaluar qëllimin fillestar të shkollës drejt kauzës për një edukim të përshtatshëm për këdo.

Përpos sigurimit të së drejtës për t’u arsimuar, zgjerimi i përdorimit të shkrimit Braille në Shqipëri, do t’u jepte të verbërve aksesin e përdorimit të spitaleve, restoranteve, gjykatave, bankave në mënyrë të pavarur. Kjo do t’u jepte liri të shumta, si për shembull mundësia që të kontrollojnë dhe ruajnë financat e tyre konfidencialisht, apo dhe thjesht për të lexuar vetë menynë ku ata dëshirojnë të darkojnë.

 

Sonila Dubare MA, MSPH, Menaxhere për Hulumtim dhe Zhvillim, Shkolla e Drejtorëve

Emiliano Lule PhD (c), Drejtues i Institutit të Nxënësve që Nuk Shikojnë

Alesia Makaj MSc, Intern R&D,  Shkolla e Drejtorëve

 

Referenca:

https://www.un.org/en/observances/braille-day

https://www.awarenessdays.com/awareness-days-calendar/world-braille-day-2020/

https://www.daysoftheyear.com/days/world-braille-day/

https://ascap.edu.al/wp-content/uploads/2017/03/ligji-per-arsimin-parauniversitar.pdf

https://dpttv.gov.al/wp-content/uploads/2017/10/Per-njoftimin-dhe-konsultimin-publik.pdf

https://www.drejtesia.gov.al/wp-content/uploads/2018/08/Ligj_119_2014_18.09.2014.pdf

http://www.sherbimisocial.gov.al/wp-content/uploads/2015/07/ligj_nr_93_dt_24_7_2014.pdf

https://sq.wikipedia.org/wiki/Alfabeti_Braj