Dita e Diskriminimit Zero

Posted on 01/03/2021

Jetojmë në një periudhë kur dikush mund të gjykohet për ngjyrën, racën, dikush për besimin fetar, një tjetër për gjininë, për gjatësinë apo peshën, për statusin ekonomik apo social e për shumë të tjera. Fenomene të tilla, në çdo formë të shfaqjes së tyre, mbajnë vetëm një emër: Diskriminim. Duke parë përhapjen e këtij fenomeni në të gjitha fushat e jetës dhe impaktin që ka në shoqëri, më 1 mars të vitit 2014 Organizata e Kombeve të Bashkuara vendosi që 1 marsi të shpallej “Dita e Diskriminimit Zero”, duke krijuar kështu një lëvizje globale të solidaritetit dhe bashkëpunimit për t’i dhënë fund të gjitha formave të diskriminimit.

“Dita e Diskriminimit Zero” është një ngjarje mbarë botërore e cila ka si qëllim të promovojë përfshirjen dhe diversitetin dhe të festojë të drejtën e gjithsecilit për të jetuar një jetë të denjë dhe të barabartë.

E drejta për të mos u diskriminuar është një e drejtë themelore e çdo individi, mbështetur në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut, ku  theksohet që të gjithë jemi të rëndësishëm, jemi lindur për të qenë të lirë, të barabartë dhe të pagjykuar, pavarësisht diferencave që kemi.

Sipas ligjit nr. 10 221, datë 04.02.2010Për mbrojtjen nga diskriminimi”, “Diskriminimi është çdo dallim, përjashtim, kufizim apo preferencë, bazuar në cilindo shkak të përmendur në nenin 1 të këtij ligji, që ka si qëllim apo pasojë pengesën apo bërjen e pamundur të ushtrimit në të njëjtën mënyrë me të tjerët, të të drejtave e lirive themelore të njohura me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, me aktet ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë, si dhe me ligjet në fuqi.” Vepron në tre fusha: në punësim, arsim, në të mira dhe shërbime.

Ligji kërkon përzgjedhjen e një “Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi”, një organ i pavarur që shërben si një mekanizëm kombëtar që garanton barazinë dhe mbrojtjen efektive nga diskriminimi dhe nga çdo formë sjelljeje që e nxit atë.

Arsimi luan një rol të rëndësishëm në parandalimin dhe frenimin e diskriminimit, ku Ministria e Arsimit  dhe Sportit dhe institucionet arsimore  janë secili përgjegjës për marrjen e masave me karakter pozitiv për të luftuar diskriminimin dhe në edukimin e fëmijëve që në moshë të hershme me frymën e gjithëpërfshirjes dhe barazisë.

Sipas legjislacionit shqiptar të gjitha institucionet arsimore duhet të angazhohen në:

  • rritjen e ndërgjegjësimit për ligjin “Për Mbrojtjen nga Diskriminimi” në sistemin arsimor, duke përfshirë informacion për të në programet mësimore;
  • përfshirjen në programet mësimore të koncepteve dhe veprimeve kundër modeleve të sjelljes diskriminuese;
  • arsimimin e të gjithë popullsisë, në mënyrë të veçantë, duke marrë masa në favor të grave dhe vajzave, pakicave, personave me aftësi të kufizuar, si dhe personave që janë ose kanë më shumë mundësi të jenë objekt i diskriminimit;
  • respektimin dhe sigurimin e së drejtës për arsimim në gjuhët e pakicave, si dhe në mënyrat e përshtatshme për personat me aftësi të kufizuar;

Arsimi është një ndër zgjidhjet e qëndrueshme për të eleminuar në mënyrë efektive diskriminimin në të gjitha format e shfaqjes së tij. Më shumë se kurrë më parë, mësuesit kanë potencialin të jenë model për nxënësit e tyre. Një mësues ka më shumë ndikim sesa ç’mund të mendohet. Ata mund të sigurojnë arsimim në frymën e dinjitetit, tolerancës dhe respektit njerëzor, ku shumë e rëndësishme është jo vetëm marrja e dijes, por edhe kultivimi i ndjeshmërisë ndaj çështjeve njerëzore, vlerave morale dhe qytetare.

Shkolla e Drejtorëve të IAP synon të japë kontributin e saj në kauzën për eleminimin e diskriminimit dhe këtë e shfaq dhe në politikat që ndjek gjatë aktiviteteve të saj. Përmes programeve të ndryshme të trajnimit, përgatit një staf pedagogjik të kualifikuar që janë model i zhvillimit dhe i ndryshimit transformues. Duke qenë të tillë, ata arrijnë të  krijojnë institucione arsimore të shëndetshme që ofrojnë shanse të barabarta për të gjithë.

 

Loreda Meta, Intern Shkolla e Drejtorëve

 

Referencat

https://www.unaids.org/en/zero-discrimination-day

https://en.wikipedia.org/wiki/Zero_Discrimination_Day

https://www.google.com/url?q=https://www.unaids.org/en/resources/presscentre/pressreleaseandstatementarchive/2020/march/20200301_zero-discrimination-against-women-and-girls&sa=D&source=calendar&ust=1610966696851000&usg=AOvVaw0I7MT7jLrMKYxrdMFSCR9t

https://www.facebook.com/antidiskriminimi/posts/843683245674832/

http://archive.ata.gov.al/2019/03/01/1-marsi-dita-e-diskriminimit-zero/

https://kmd.al/wp-content/uploads/2019/06/Diskriminimi-ne-Arsim.pdf