Dita Kombëtare e Mësuesit

Posted on 05/03/2021

Në përkujtim të krijimit të Mësonjëtores së Parë Shqipe, me vendim të qeverisë shqiptare në vitin 1960 u vendos që 7 Marsi të njihet si “Dita Kombëtare e Mësuesit”. Mësonjëtorja e Parë Shqipe u çel më 7 mars të vitit 1887, në Korçë, në periudhën e fundme të sundimit të Perandorisë Osmane. Hapja e shkollës erdhi si rezultat i punës dhe përpjekjeve të vazhdueshme të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, e cila synonte mundësimin e të drejtave kombëtare shqiptare. Drejtori i parë i shkollës ishte Pandeli Sotiri,  që më vonë u pasua nga Petro Nini Luarasi, dy figura të shquara në veprimtaritë atdhetare.

Mësonjëtorja e Parë Shqipe ishte shkolla e parë në vendin tonë me karakter laik dhe kombëtar, në thelb demokratike sepse ishte e hapur për të gjithë dhe pa pagesë, e pavarur pasi nuk financohej nga jashtë, por mbahej nga vetë populli. Të gjithë lëndët që përmbante programi i shkollës si shkrimi, këndimi, gramatika e gjuhës shqipe, historia, gjeografia, aritmetika, dituria natyrore dhe edukimi fizik zhvilloheshin në gjuhën shqipe. Në ditën e çeljes shkolla numëronte 35 nxënës dhe vetëm një vit më vonë, në 1888, në shkollë merrnin mësim rreth 160 nxënës.

Rëndësia e krijimit të kësaj shkolle qëndron së pari në faktin e institucionalizimit të mësimit të gjuhës shqipe. Përpos kësaj, shkolla e parë shqipe shërbeu si qendër për formimin kulturor, rritjen e ndërgjegjegjësimit dhe moralit. Shkolla pati një rol të madh në nxitjen e edukimit patriotik të brezit të ri. Duke qenë se ishte e para e kësaj natyre, shkolla tërhoqi interesin shumë shqiptarëve dhe nën shembullin e saj u frymëzuan hapjet e shkollave të tjera shqipe në të gjithë trevat shqiptare.

Sfidat e shkollës së parë ishin të shumta dhe lidheshin drejtpërdrejt me ekzistencën e saj apo jo. Mësuesit dhe drejtuesit e shkollës së parë shqipe përballeshin me pengesa dhe vështirësi që vinin nga pushtuesit osmanë, por dhe nga kleri i varur nga shtetet fqinje.

Shkolla shqiptare sot vjen me sfida të tjera, që lidhen me arsimin gjithëpërfshirës, digjitalizimin e mësimdhënies dhe mësimin online, ofrimin e kurrikulave të përditësuara, si dhe pajisjen e nxënësve me njohuri dhe aftësi të nevojshme përtej shkollës.

Jemi futur në dekadën e ndryshimeve të mëdha dhe arsimi është ndër fushat që po përjeton ndryshime dhe zhvillime rrënjësore. Pandemia dhe pasojat që ajo po shfaq dita-ditës prekën shumë insitucionet arsimore dhe mësimdhënien. Mësuesit ishin ndër heronjtë e kësaj periudhe, të cilët mes gjithë vështirësive dhe sfidave, po punojnë fort çdo ditë që të përmbushin misionin e tyre fisnik dhe të përcjellin arsimin dhe dijen në këtë periudhë kaq të pazakontë.

Mësimi online ishte një sfidë me vete si për nxënësit, ashtu edhe për mësuesit, ku këta të fundit bënë çmos që të mos ndihej distanca e krijuar dhe mbarëvajtja e procesit mësimor të ishte njësoj si në bankat e shkollës.

Ky 7 mars është shumë ndryshe nga ata që kemi kaluar më parë. Shumë mësues nuk mund t’i marrin nga afër urimet e përzemërta të fëmijëve që mezi e presin këtë ditë për t’i shprehur falenderimet dhe mirënjohjen mësuesve fort të dashur për ta. Mësuesin e kemi quajtur “prind të dytë”. Ashtu si vetë prindërit, edhe mësuesit vënë në plan të parë nevojat dhe mirëqenien e nxënësve përpara të tyreve. Nëse gjithë ditët e tjera të vitit mësuesit ia kushtojnë nxënësve, dhënies së dijes, mësimeve për jetën dhe formimit të qytetarëve të denjë të kësaj shoqërie, 7 marsi është dita që i kushtohet plotësisht mësuesve: mundit, sakrificës dhe punës së tyre të palodhur.

Shkolla e Drejtorëve, si një institucion me në fokus arsimin cilësor dhe gjithëpërfshirës, ka për qëllim të mbështesë shkollat në tejkalimin e sfidave me të cilat përballen ato sot. Nëpërmjet trajnimit të drejtuesve dhe mësuesve të arsimit parauniversitar, synohet rritja profesionale personale, ashtu sikurse dhe përmirësimin e drejtimit dhe manaxhimit të shkollave.

 

Alesia Makaj, Intern Shkolla e Drejtorëve

Loreda Meta, Intern Shkolla e Drejtorëve

 

Referenca:

https://sot.com.al/kultura/m%C3%ABsonj%C3%ABtorja-e-par%C3%AB-shqipe-130-vjet-nga-krijimi

https://sq.wikipedia.org/wiki/M%C3%ABsonj%C3%ABtorja_e_Kor%C3%A7%C3%ABs

https://www.intoalbania.com/sq/atraksion/muzeu-mesonjetorja-e-pare-shqipe/