Dita Ndërkombëtare e Grave dhe Vajzave në Shkencë

Posted on 11/02/2021

Barazia gjinore është një nga temat më aktive të shoqërive moderne, megjithatë jo detyrimisht nënkupton që pabarazitë gjinore janë eleminuar. Hendeku gjinor në lidership, në vendin e punës, në shkenca, etj; ndikon drejtpërsëdrejti në cilësinë e jetës të të gjithë shoqërisë. Aksesi më i ulët i grave dhe vajzave në fushat shkencore i bën ato të kenë aftësitë me të ulta në këto fusha, si rrjedhojë janë më të papërgatitura për tregun e punës, kanë më pak mundësi të një punësimi të denjë, duke ulur produktiviteti dhe mirëqenien e përbashkët të shoqërisë. Pandemia e COVID-19 e tregoi qartë rolin e të grave shkencëtare dhe hulumtuese në faza të ndryshme të luftës kundër COVID-19, nga avancimi i njohurive mbi virusin deri te zhvillimi i teknikave për testimin dhe më në fund te krijimi i vaksinës kundër virusit.

Për të vënë theksin mbi rëndësinë e barazisë gjinore në shkenca Kombet e Bashkuara në 22 dhjetor 2015, njohën 11 shkurtin njihet si Dita Ndërkombëtare e Grave dhe Vajzave në Shkencë, vendosur kjo nga sipas Rezolutës A/RES/70/212 dhe Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm nga Agjenda 2030. Objektivat 4, 5 dhe 9Agjendës lidhen respektivisht me arsimin, barazinë gjnore, infrastrukturën, industrializimin dhe inovacionin, të cilat së bashku theksojnë nevojën për angazhimin e grave dhe vajzave në shkencë.

Gjatë 15 viteve të fundit janë bërë përpjekje për të nxitur angazhimin e grave dhe vajzave në shkencë. Megjithatë, gratë dhe vajzat vazhdojnë të mos kenë pjesëmarrje të barabartë me burrat dhe djemtë në shkencë. Në rang global gratë janë pakicë në kërkime dhe hulumtime. Aktualisht, më pak se 30% e hulumtuesve në të gjithë botën janë gra. Në Shqipëri, sipas të dhënave për vitin 2018, femrat hulumtuese përbëjnë rreth 44% e hulumtuesve në total.

Sipas UNESCO-s vetëm 30% e të gjitha studenteve femra zgjedhin fushat e lidhura me STEM (Shkencë, Teknologji, Inxhinieri, Matematikë) në arsimin e lartë. Globalisht, regjistrimi i studenteve femra është veçanërisht i ulët në TIK (3%), shkenca natyrore, matematikë dhe statistikë (5%) dhe në inxhinieri, prodhim dhe ndërtim (8%). Ndërsa, në Shqipëri, sipas UN Women, më shumë se 71% e studentëve të diplomuar në fushën e shkencave natyrore dhe matematikës janë vajza.

60% të shteteve të botës, për nxënësit 15 vjeç, djemtë performojnë më mirë se vajzat në shkenca dhe matematikë. Përkundrazi, në rastin e Shqipërisë vajzat performojnë më mirë se djemtë në të dyja.

E ardhmja do të shënohet nga progresi në shkencë dhe teknologji, i cili mund të arrihet vetëm kur gratë dhe vajzat angazhohen me kapacitete të plota. Për angazhimin e grave dhe vajzave në shkencë ndikojnë një sërë faktorësh, si: niveli individual, niveli familjar dhe i të afërmve, niveli i shkollës dhe niveli i shoqërisë.

Niveli i shkollës përfshin: profilin e mësuesve, përvojën, opinionet dhe pritshmëritë, kurrikulën, tekstet, strategjitë e mësimdhënies, ndërveprimet mësues-nxënës, praktikat e vlerësimit dhe mjedisin e shkollës në përgjithësi. Po çfarë roli luan specifikisht shkolla?

  • Mësuesit e shkencave dhe të matematikës mund të luajnë rol pozitiv në performancën, angazhimin dhe interesin e vajzave për të ndjekur karrierën në shkencë. Mësueset femra, me shembullin e tyre, mund të ndihmojnë në rrëzimin e stereotipeve.
  • Opinionet, qëndrimet, sjelljet dhe ndërveprimet mësues-nxënës mund ta përmirësojnë ose përkeqësojnë barazinë midis vajzave dhe djemve në lëndët shkencore. Vëmendja ndaj dinamikës gjinore në klasë dhe në mjedisin shkollor është kritike.
  • Kurrikula dhe materialet mësimore janë faktor kyç në promovimin e shkencës te vajzat.
  • Mundësitë për përvoja reale, si psh: praktika, hulumtime në laboratore, trajnime, këshillim i karrierës rrisin interesin e vajzave për të ndjekur studimet dhe karrierën në shkenca.
  • Vlerësimi që merr për bazë gjininë ose stereotipe gjinore mund të ndikojë negativisht rezultatet e vajzave në lëndët shkencore, ndaj rekomandohen praktika vlerësimi të paanshme dhe të drejta.
  • Drejtorët e shkollave mund të sigurojnë një mjedis në të cilin djemtë dhe vajzat kanë akses dhe mbështetje të barabartë në arritjen e potencialeve të tyre në shkenca, sipas standardit të drejtuesve të arsimit parauniversitar “Drejtimi në ekip për zbatimin e kurrikulës, mësimdhënies dhe të nxënit të suksesshëm”.
  • Alokimet e buxhetit të vitit 2021 për Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë përbëjnë 3.8% të produktit të brendshëm bruto dhe 12.4% të shumës së buxhetit gjithsej. Një nga zërat e buxhetit për arsimin janë fondet për shkencën, ku 1.6% e buxhetit për arsimin shkon për shkencën.

Pavarësisht vështirësive, vajzat dhe gratë duhet të vazhdojnë të kenë progres dhe t’ja dalin mbanë të jenë aktore kryesore në zhvillimin teknologjik, në inovacion, në digjitalizim. Nxitja e më shumë vajzave dhe grave në shkencë shkon përtej detyrës institucioneve. Secili prej anëtarëve të shoqërisë ka mundësi të kontribuoje në këtë drejtim. Si mund të ndihmoni ju në rritjen cilësore të më shumë grave dhe vajzave në shkencë?

 

 

Autorët:

Alesia Makaj MSc, R&D Intern, CSL

Sonila Dubare MSPH, R&D Manager, CSL

 

 

Referenca:

https://www.un.org/en/observances/women-and-girls-in-science-day/

https://sdgs.un.org/goals

https://undocs.org/A/RES/70/212

https://www.unwomen.org/en/news/in-focus/international-day-of-women-and-girls-in-science

http://uis.unesco.org/sites/default/files/documents/fs55-women-in-science-2019-en.pdf

https://unesdoc.unesco.org/ark:/48223/pf0000253479

http://debate.scidevcenter.org/fjala-e-dr-teuta-xhindi-ne-takimin-virtual-grate-ne-stem-2/

https://www.nobelprize.org/prizes/lists/nobel-prize-awarded-women/

https://www.financa.gov.al/projektbuxheti-2021/

https://www.financa.gov.al/wp-content/uploads/2020/11/CB-2021-2.pdf