Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Fëmijëve
Posted on 16/11/2021

 

“Të Drejtat e Fëmijëve nuk janë të drejta të veçanta, por janë më tepër të drejta themelore të qenësishme për dinjitetin njerëzor të të gjithë njerëzve”UNICEF

Historia e Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Fëmijëve

20 nëntori njihet si Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Fëmijëve.

Kjo datë lidhet me vitin 1959 kur Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi Deklaratën e të Drejtave të Fëmijëve. Në të njëjtën datë në vitin 1989 kjo Asamble miratoi Konventën e të Drejtave të Fëmijëve. Konventa e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijëve është traktati më i pranuar botërisht për të drejtat e njeriut në histori.

Kjo ditë festohet çdo vit në 20 nëntor për të promovuar bashkimin ndërkombëtar, ndërgjegjësimin e fëmijëve në mbarë botën dhe përmirësimin e mirëqenies së fëmijëve. Konventa e të Drejtave të Fëmijëve ndryshoi mënyrën se si fëmijët shikohen apo trajtohen. Fëmijët nuk shikohen më si një “pronë” e prindërve. Ata nuk janë të pambrojtur dhe nuk janë objekt për bamirësi. Një fëmijë është një qenie njerëzore dhe me të drejtë duhet të trajtohet si e tillë.

Çfarë thotë Konventa:

Konventa gjithashtu vendosi një numër të drejtash specifike duke përfshirë:

  • Të drejtën e jetës;
  • Të drejtën e shëndetit dhe të shërbimeve shëndetësore;
  • Të drejtën e familjes;
  • Të drejtën e arsimit dhe lojërave;
  • Të drejtën për të mos u torturuar apo nënshtruar trajtimit ose dënimit çnjerëzor;
  • Të drejtën për të qene i mbrojtur ndaj shfrytëzimit, dhunës dhe abuzimit;
  • Të drejtën për të patur një zë, për tu dëgjuar;
  • Të drejtën për të mos u diskriminuar;
  • Të drejtën e lirisë së të shprehurit, mendimit, vetëdijes dhe besimit.

Duke specifikuar të drejtat e fëmijëve Konventa ndihmon për të krijuar një botë ku çdo fëmijë është i aftë të zhvillojë potencialin e tij ose të saj të plotë që është pikërisht çështja që duam të zgjidhim.

 

Si përshtatet Arsimi në Konventë:

Neni 28 i Konventës së të Drejtave të Fëmijëve thotë që çdo vend që e firmos atë duhet të:

  1. Bëjnë arsimin fillor të detyrueshëm dhe falas për të gjithë;
  2. Inkurajojnë zhvillimin e formave të ndryshme të arsimit të mesëm si të përgjithshëm, dhe profesional, i bëjnë ato të hapura e të mundshme për çdo fëmijë dhe marrin masa të përshtatshme, si vendosja e arsimit falas dhe dhënia e një ndihme financiare në rast nevoje;
  3. U sigurojnë të gjithëve arsimin e lartë, sipas aftësive të secilit, me të gjitha mjetet e përshtatshme;
  4. Bëjnë të mundshëm dhe të arritshëm për çdo fëmijë informacionin dhe orientimin shkollor e profesional;
  5. Marrin masa për të inkurajuar frekuentimin e rregullt të shkollës dhe uljen e përqindjes së braktisjes së shkollës.

 

Shtetet Palë marrin të gjitha masat e nevojshme për të siguruar që disiplina shkollore të zbatohet në mënyrë të pajtueshme me dinjitetin njerëzor të fëmijës dhe në përputhje me këtë Konventë. Shtetet gjithashtu nxisin dhe inkurajojnë bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën e arsimit, për të kontribuar, në mënyrë të veçantë, në zhdukjen e padijes dhe të analfabetizmit kudo në botë dhe për të lehtësuar përvetësimin e njohurive shkencore e teknike dhe të metodave moderne të mësimdhënies. Për këtë, mbahen parasysh në mënyrë të veçantë nevojat e vendeve në zhvillim.

Neni 29 thotë që arsimi duhet të ketë për synim të zhvillojë potencialin e plotë të personalitetit, dhuntive dhe aftësive mendore e fizike të fëmijës.

 

Pse e drejta e arsimit është themelore

Çdo fëmijë në botë ka të drejtën e arsimimit të sanksionuar në Konventën për të Drejtat e Fëmijës.

Por afërsisht 260 milionë fëmijë – rreth 1 në 10 – ishin pa shkollë edhe para se të godiste pandemia Covid-19. Qindra miliona të tjerëve iu është ndërprerë arsimimi një vit më parë nga kriza shëndetësore dhe ekziston frika se disa nuk do të kthehen më kurrë në klasë.

Fjalët e Konventës për të Drejtat e Fëmijëve nuk mund të harrohen”, tha Justin van Fleet presidenti i Shoqatës Botërore të Bamirësisë “Theirworld” dhe njëkohësisht Drejtori Ekzekutiv i Koalicionit Global të Biznesit për Edukimin. “Në vitin 2020, një pandemi globale, ndryshimi i klimës, varfëria dhe trazirat politike vënë në rrezik jetën e një numri të pafundëm fëmijësh.” “Ndërmarrja e veprimeve për të realizuar të drejtën për arsim është çelësi për të zhbllokuar një të ardhme më të mirë.”

Pa cilësinë në arsim për çdo fëmijë, ne nuk do të jemi në gjendje të ndihmojmë në çlirimin e potencialit të gjeneratës së ardhshme. Ju mund të ndihmoni që çdo fëmijë të ketë fillimin më të mirë në jetë, një vend të sigurt për të mësuar dhe aftësi për të ardhmen.

 


 

Përgatiti: Daniela Bardhaj Intern R&D Shkolla e Drejtorëve

Referenca:

https://www.savethechildren.org/us/charity-stories/universal-childrens-day

https://www.un.org/en/observances/world-childrens-day

https://theirworld.org/news/world-childrens-day-celebrating-the-right-to-quality-education

https://www.compassion.com/world-days/universal-childrens-day.htm