Hartimi dhe Zhvillimi i Kurrikulës së Trajnimit për drejtuesit e IAP

Posted on 02/07/2019

Më 20 – 24 Qershor 2019, Shkolla e Drejtorëve organizoi aktivitetin për Hartimin dhe Zhvillimin e Kurrikulës së Trajnimit për programin përgatitor për certifikimin e drejtuesve në detyrë dhe aspirantëve për drejtues të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar (IAP).

Qëllimi kryesor i këtij aktiviteti ishte hartimi i kurrikulës fillestare përgatitore të trajnimit për drejtuesit në detyrë dhe aspirantët për drejtues të IAP bazuar në standardet e reja të propozuara për drejtuesit e IAP.

Ky aktivitet u drejtua nga Dr. Yaakov Gutterman, Drejtues i Programit të Trajnimit të Lidershipit në Kolegjin Kibbutzim, Izrael, me pjesëmarrjen e ekspertëve të zhvillimit të kurrikulave nga Agjencia për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin Parauniversitar (ASCAP), Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar (DPAP), Institucionet e Arsimit të Lartë (IAL) dhe drejtues të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar (IAPU).

Gjithashtu, në kuadër të këtij aktiviteti, në Shkollën e Drejtorëve u organizua një takim i grupit të punës të sipërpërmendur me disa drejtues nga shkollat 9-vjeçare dhe të mesme të Tiranës, të cilët ofruan një kontribut të rëndësishëm në këtë proces.

Përgatitja e draftit të programit të trajnimit, përfshirë orët, kreditet, njohuritë dhe procesin e mësimdhënies u bazua në diskutimet dhe kontributin e pjesëmarrësve në lidhje me: Raportin e Vlerësimit të Nevojave dhe Standardet e reja të propozuara të drejtorëve; Analizën e kurrikulës së mëparshme të programeve të tjera të ngjashme në Shqipëri dhe pikëpamjet në lidhje me udhëheqjen e shkollës dhe vlerësimin e saj.

Pjesë e këtij aktiviteti ishin vizitat e Dr. Gutterman në shkollën 9-vjeçare ​​“Edit’h Durham” dhe në shkollën e mesme të përgjithshme “Sami Frashëri” në Tiranë, për të marrë perceptimin nga stafi drejtues dhe mësuesit mbi sfidat, pikat e forta dhe të dobëta, inovacionet aktuale dhe prioritetet për ndryshim në udhëheqjen e shkollës. Këto vizita u paraprinë nga takimet e Dr. Gutterman me sektorin e arsimit të AADF si dhe me fokus grupe të nxënësve të shkollave të mesme.