Egoja – armiku i udhëheqjes së mirë!

Posted on 29/01/2020

Po ndajmë me ju disa mësime udhëheqjeje të ofruara nga Harvard Business Review.

Në ditën e tij të parë si drejtues ekzekutiv i “Carlsberg Group”, kompani ndërkombëtare e birrës dhe e pijeve , Cees verage’t Hart u pajis me një kartë për ashensorin, e cila bllokonte të gjithë katet e tjera dhe e çonte direkt në zyrën e tij, në katin e 20-të. Zyra ofronte një pamje mahnitëse të Kopenhagenit. Këto ishin përparësitë e pozicionit të tij të ri, që tregonin fuqinë dhe rëndësinë e tij brenda kompanisë.

Cees, gjatë dy muajve të parë të punës, ndërkohë që po mësohej me përgjegjësitë e tij të reja, vuri re se ai shihte shumë pak njerëz gjatë gjithë ditës. Ashensori nuk ndalej në katet e tjera dhe vetëm një grup i zgjedhur ekzekutivësh punonin në katin e 20-të. Kështu, ai vendosi që të kalojë nga zyra e tij në një tavolinë boshe të një zyre të hapur në një kat më poshtë.

Kur e pyetën për ndryshimet, ai tha: “Nëse nuk i takoj njerëzit, nuk do të di se çfarë mendojnë ata. Dhe nëse nuk prek nga afër zemrën e organizatës, unë nuk mund të drejtoj në mënyrë efektive.”

  • Kur rritemi në detyrë fitojmë më shumë pushtet. Dhe njerëzit, me shumë gjasa, duan të na pëlqejnë duke na dëgjuar me vëmendje, duke na miratuar më shumë dhe duke qeshur me shakatë tona. Të gjitha këto e përkëdhelin egon. Dhe kur egoja përkedhelet, ajo rritet.
  • Një ego e pakontrolluar mund të prishë perspektivën tonë ose të shtrembërojë vlerat tona.
  • Kur futemi në ‘kurthin’ e egos për më shumë pushtet, ne e humbim kontrollin. Egoja na bën më të prekshëm ndaj manipulimeve; zvogëlon fushën tonë të vizionit dhe korrupton sjelljen tonë, shpesh duke na bërë të veprojmë kundër vlerave tona.
  • Egoja jonë është si një objektiv që ne e mbartim me vete. Dhe si çdo objektiv, sa më i madh të jetë ai, aq më i cënueshëm është për t’u goditur. Kështu, një ego e fryrë e bën më të lehtë që të tjerët të përfitojnë nga ne.

Mposhtja e egos së tepruar dhe shmangia e ‘flluskës së udhëheqjes’ është një detyrë e rëndësishme dhe sfiduese. Kërkon vetëmohim, reflektim dhe guxim. Më poshtë janë disa këshilla që do t’ju ndihmojnë në këtë proces:

  • Konsideroni aftësitë dhe privilegjet që ju ofrohen në rolin tuaj. Disa prej tyre ju mundësojnë ta bëni punën tuaj në mënyrë efektive. Merrni në konsideratë ato privilegje tuajat të cilat mund t’ lini mbrapa. Mund të jetë vendi i rezervuar i parkimit ose, si në rastin e Cees ‘t Hart, një kartë e veçantë për ashensorin.
  • Mbështesni, zhvilloni dhe punoni me njerëz që nuk do të ushqejnë egon tuaj. Punësoni njerëz të zgjuar, me vetëbesim për të folur.
  • Përulësia dhe mirënjohja janë themeli i vetëmohimit (altruizmit). Bëjeni zakon që në fund të çdo dite të merrni një moment për të reflektuar me të gjithë njerëzit që ishin pjesë e suksesit tuaj atë ditë. Kjo ju ndihmon të zhvilloni një sens të natyrshëm të përuljes, duke parë se nuk jeni vetëm ju shkaku i suksesit tuaj. Dhe përfundoni reflektimin duke iu dërguar një mesazh mirënjohjeje atyre njerëzve.

Egoja e fryrë që vjen me suksesin – paga më e madhe, zyra më e mirë, qeshjet e lehta – shpesh na bëjnë të ndjehemi sikur kemi gjetur përgjigjen e përjetshme për të qenë udhëheqës. Por në realitet, nuk është kështu. Udhëheqja ka të bëjë me njerëzit dhe njerëzit ndryshojnë çdo ditë. Nëse besojmë se kemi gjetur çelësin universal për të udhëhequr njerëzit, ne thjesht e kemi humbur atë. Nëse e lëmë egon tonë të përcaktojë se çfarë shohim, çfarë dëgjojmë dhe çfarë besojmë, ne kemi lejuar që suksesi ynë i të kaluarës të dëmtojë suksesin tonë në të ardhmen.