Hapet thirrja për aplikime në Programin e Trajnimit të Detyrueshëm Përgatitor për Certifikim për drejtues të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar

Posted on 11/05/2020

Shkolla e Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar hap thirrjen e re për aplikime në Programin e Trajnimit të Detyrueshëm Përgatitor për Certifikim për drejtues të IAP, për të gjithë Drejtorët/Nëndrejtorët në detyrë dhe Mësuesit që aspirojnë për t’u bërë drejtorë apo nëndrejtorë shkolle.

Thirrja është e hapur për drejtues në detyrë në Institucionet e Arsimit Parauniversitar të Mesëm të Ulët dhe të Mesëm të Lartë dhe kandidatët për drejtues të IAP-ve që janë mësues të kualifikuar dhe ushtrojnë ose e kanë ushtruar profesionin e tyre, si në institucionet publike dhe në ato private.

Aplikimi do të kryhet vetëm online nëpërmjet faqes së internetit të Shkollës së Drejtorëve të IAP.

Përpara se të filloni përgatitjen e dokumenteve për aplikim, sigurohuni që i plotësoni kriteret e shpallura për përzgjedhjen e kandidatëve sikurse më poshtë:

Kriteret që duhet të plotësojnë drejtorët/nëndrejtorët në detyrë dhe mësuesit që aspirojnë për t’u bërë drejtues janë:

  • Kanë përfunduar studimet në Republikën e Shqipërisë, në një program të ciklit të dytë ose kanë ndjekur një program studimi 4 vjeçar në fushën e mësuesisë dhe janë pajisur me diplomën përkatëse, ose janë diplomuar jashtë vendit në një program të ciklit të dytë në fushën e mësuesisë dhe kanë kryer njehsimin e diplomës pranë Qendrës së Shërbimeve Arsimore.
  • Kanë përvojë pune si mësues dhe kanë së paku kategorinë “Mësues i Kualifikuar”.
  • Nuk kanë masa disiplinore në fuqi në momentin e aplikimit (kriter preferencial).

Kriteret mund t’i gjeni gjithashtu në linkun www.csl.edu.al/course/kushtet-kriteret-perzgjedhje-kandidat-iap/

Për dokumentet e nevojshme dhe mënyrën e aplikimit vizitoni linkun www.csl.edu.al/course/aplikimi-per-programin/

Shkolla e Drejtorëve organizon procesin e vlerësimit, të pranimit dhe të regjistrimit të drejtuesve në detyrë në programin e trajnimit për drejtues të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar, sipas Rregullores “Për zhvillimin profesional dhe kualifikimin e drejtorëve/nëndrejtorëve të institucioneve të arsimit parauniversitar në Shqipëri”, të miratuar nga Bordi Drejtues i Shkollës së Drejtorëve.

Përfshirja e drejtuesit në detyrë dhe e mësuesit që aspiron për t’u bërë drejtues në programin e trajnimit do të kryhet sipas kuotave dhe shtrirjes kohore dhe territoriale të përcaktuar me vendim të Bordit Drejtues të Shkollës së Drejtorëve. Bordi Drejtues i Shkollës së Drejtorëve shpall çdo vit kuotat e pranimit në programin e trajnimit. Kandidatët, të cilët kalojnë filtrin përzgjedhës dhe pranohen në programin e trajnimit, do të njoftohen nga Shkolla e Drejtorëve se në cilën kohortë do të regjistrohen dhe do të ndjekin programin e trajnimit.

Aplikimet do të shqyrtohen çdo 2 javë nga komisioni përkatës i vlerësimit, duke filluar nga data 11.05.2020

Për çdo pyetje apo informacion të nevojshëm, mund të kontaktoni:
Shkolla e Drejtorëve të IAP
Bulevardi Zhan d’Ark, Nr. 23, (ish-ATSH), Tiranë
Tel: +355 4 220 9185
Email: info@csl.edu.al
Web: www.csl.edu.al