Karta e Performancës 2021 për Vlerësimin e Shkollave në ZVA Tiranë.
Posted on 09/12/2021

 

Karta e Performancës është një mekanizëm i përvitshëm, që mat cilësinë e mësimdhënies në arsimin parauniversitar, duke u mbështetur kryesisht në arritjet e shkollës në provime kombëtare e olimpiada.

Përpos kësaj, prej vitesh përdoret si një mjet orientimi për prindërit lidhur me  zgjedhjen e shkollave për  fëmijët e tyre.

Drejtuesit e shkollave e përdorin Kartën e Performancës si pikënisje për një analizë të thellë që do tu shërbejë në mbështetje të hartimit të planit vjetor të shkollës dhe në vlerësimin objektiv të punës së tyre.

Shkollat, të cilat paraqiten me arritje më të mira për tregues të veçantë, mund të shërbejnë si modele praktikash të suksesshme.

Qendra “Shkolla e Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar” (CSL) nëpërmjet zbatimit të programeve trajnuese synon rritjen e cilësisë së arsimit parauniversitar veçanërisht nëpërmjet përmirësimit të procesit të drejtimit të shkollës dhe zhvillimit profesional të stafit mësimdhënës.

Në Kartën e Performancës 2021 për ZVA Tiranë, shkollat e renditura në 10 më të mirat sipas kategorive [Arsimi i Mesëm i Ulët (9-vjecare) dhe Arsimi i Mesëm i Lartë ( Gjimnaz)] , drejtohen nga 23 drejtues ( drejtorë dhe nëndrejtorë ) që janë certifikuar me sukses nga CSL pas ndjekjes së Programit të Trajnimit të Detyrueshëm Përgatitor (CTP) për drejtues të institucioneve të arsimit parauniversitar,  ndërsa 12 mësues nga këto shkolla janë certifikuar në rolin e aspirantëve për drejtues.

Gjithashtu edhe shumë drejtues dhe mësues nga këto shkolla dhe jo vetëm, kanë përfituar nga trajnimet e Qendrës “Shkolla e Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar” (CSL) në lidhje me zhvillimin e vazhdueshëm profesional.

Këta tregues dëshmojnë se drejtuesit në detyrë dhe aspiratët për drejtues nëpërmjet zbatimit të teknikave të udhëheqjes pedagogjike ndikojnë në mësimdhënien dhe të nxënët, duke krijuar norma e sjellje organizative për përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë së shkollës.

Ofrimi i arsimit cilësor së bashku me një infrastukturë shkollore të përshtatshme është padyshim një  investim për  të ardhmen. Ai është thelbësor për punësimin dhe përparimin e përgjithshëm shoqëror, duke kontribuar në zhvillimin e shoqërisë dhe ekonomisë së vendit.

 

http://zvatirane.edu.al/index.php/renditja-e-shkollave/319-karta-e-performances-zvat-2021