Moduli “Mësimdhënia dhe të nxënit në një mjedis që ndryshon vazhdimisht”

Posted on 15/04/2021

Shkolla e Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar (CSL) përmes Programit të Zhvillimit të Vazhdueshëm Profesional (CPD) filloi me datë 06 Prill 2021 ciklin e trajnimeve online në modulin me temë “Mësimdhënia dhe të nxënit në një mjedis që ndryshon vazhdimisht” që ofrohet pa pagesë për pjesëmarrësit.

Ju ftojmë të njiheni me lektorët që po e ofrojnë këtë modul trajnimi.

Prof. Asoc. Dr. Tomi TRESKA, Lektor pranë Departamentit të Psikologjisë, Edukimit dhe Sporteve në Universitetin Europian të Tiranës UET

Z. Treska ka një përvojë të gjatë në mësimdhënie në nivel universitar, përvojë të pasur pune me organizata dhe agjenci kombëtare dhe ndërkombëtare, veçanërisht në fushën e trajnimeve dhe të ngritjes së kapaciteteve të drejtuesve të shkollave dhe mësuesve për tematika që lidhen me administrimin e arsimit, metodologjitë e mësimdhënies, partneritetin shkollë – familje, “qeverisjen e mirë”, etj.

Prof. Asoc. Dr .Tomi Treska është hartues i shumë analizave, studimeve, raporteve, vëzhgimeve. Ka publikuar artikuj shkencorë në revista të njohura shkencore brenda dhe jashtë vendit. Prej vitit 2005 e në vijim është autor i teksteve të historisë për sistemin e arsimit Parauniversitar.

Çështjet që Z. Treska trajton në këtë trajnim janë:

“Edukimi Global, standarde, kritere, karakteristika dhe cilësi të “Mësuesit Global” dhe të “Nxënësit Global”,

Nxënësit sot po përballen me një shoqëri që në thelb po bëhet gjithnjë e më globale dhe e cila ndikohet thellësisht nga vendimet dhe ngjarjet që ndodhin larg pranisë së tyre. Edukimi global përfshin të nxënit rreth atyre problemeve dhe çështjeve që kapërcejnë kufijtë kombëtarë.

Filozofia e edukimit global përmban në vetvete pikërisht ato elemente që i mungojnë orës tradicionale duke vendosur në qendër nxënësin dhe të nxënit e tij.

“Mësimdhënia për zhvillimin e të menduarit në nivel të lartë”

Mësimdhënia në nivel të lartë të të menduarit është mësimdhënia që përqendrohet më shumë tek të nxënit e koncepteve, modeleve dhe abstragimeve duke përdorur strategji që ndihmojnë nxënësin në zgjidhjen e problemit. Në këtë çështje do të diskutohen struktura për mësimdhënien dhe zhvillimin e të menduarit në nivel të lartë si dhe strategji të zbatimit të këtyre strukturave.

Mësimdhënia e integruar dhe ndërvepruese”

Mësimdhënie e integruar është përcaktuar si organizim i procesit mësimor për të bërë të mundur ndërveprimin apo unifikimin e informacionit që merret nga disiplina të ndryshme mësimore në kurset e veçanta akademike. Nga integrimi, një informacion i shumtë, mund të paraqitet për nxënësit në një mënyrë koncize dhe të plotë. Gjatë trajnimit diskutohen mënyrat dhe përpjekjet e nevojshme për procesin dhe organizimin e informacionit gjatë mësimdhënies së integruar.

Dr. Zenel SINA, lektor pranë Departamentit të Pedagogjisë të Fakultetit të Edukimit në Universitetin “Aleksandër Moisiu”, Durrës.

Gjatë karrierës së tij akademike ka drejtuar Departamentin e Pedagogjisë, Z. Sina ka ideuar dhe drejtuar Qendrën për Edukim në Vazhdim në Universitetin ku punon.

Z. Sina ka përvoje të gjatë në arsimin në Shqipëri duke përfshirë role si mësues, drejtues shkolle, trajner dhe aktivist në shoqërinë civile, kryesisht në fushën e edukimit.

Kontributi më i spikatur i tij është në drejtim të zhvillimit profesional të mësuesve, prindërimit dhe në fushën e të nxënit. Ai ka publikuar një sërë artikujsh në revista shkencore dhe konferenca rajonale, kombëtare dhe ndërkombëtare. Dr. Zenel SINA është autor  dhe redaktor i disa librave e revistave për fëmijë.

Çështjet që Z.Sina po trajton në këtë trajnim janë:

“Të nxënit dhe neuroedukimi – një sfidë e re në edukimin e shekullit XXI”

Studimet, gjetjet dhe informacioni i përftuar nga arritjet e neuroshkencës kanë hedhur dritë dhe na kanë sqaruar mbi të fshehtat e trurit, të kuptuarin se si nxënë njerëzit dhe domosdoshmërinë e formimit dhe kualifikimit të mësuesve për përdorimin e metodologjisë së mësimdhënies bazuar në këto elemente.

Gjatë seancës së trajnimit u trajtuan teori të ndryshme neuro-psikologjike si ato konjitiviste, bihevioriste dhe ato humane për të kuptuar më qartë procesin e nxënies tek njeriu, çfarë konsiderohet si e nxënë dhe kur një nxënës arrin të nxërë në mënyrë efektive dijet në klasë.

“Mjedisi i të nxënit, Motivimi dhe vetë-rregullimi i sjelljeve të nxënësve për vetë-aktualizim.”

Neuroedukimi ka evidentuar se motivimi dhe veçanërisht ai i brendshëm është një nga faktorët më të fuqishëm që ndikojnë në edukim. Motivimi përbehet nga forcat e nevojave, forcat e dëshiruar për pritshmëri, forcat e shpërblimit dhe dëshirat brenda individëve që e shtyjnë individin në veprimtari për të arritur

qëllimet. Motivimi i brendshëm është burim dhe parakusht i vetë rregullimit të sjelljes dhe të vetë të nxënit autonom.