Në mbyllje të semestrit të parë të Programit të Trajnimit
Posted on 29/01/2020

Pjesëmarrësit në Programin e Trajnimit të Detyrueshëm Përgatitor për certifikim për drejtues të IAP, mbyllën semestrin e parë të programit. Përgjatë tre muajve, drejtuesit aktualë dhe aspirantët për drejtues ndoqën tre module lidhur me Zhvillimin e vizionit dhe të strategjisë për përmirësimin e shkollës; Vëzhgimin, feedback-un dhe mekanizmat të tjerë për të ndihmuar mësuesin dhe Bazën e të dhënave për drejtimin pedagogjik.

Përgjatë orëve të leksioneve në sallë, pjesëmarrësit kanë shqyrtuar raste ushtrimore nga puna e përditshme në shkollë dhe kanë diskutuar mes tyre mbi problematikën e ndeshur.

Një komponent i rëndësishëm i programit është dhe praktika profesionale në institucionet arsimore, nën mentorimin e drejtuesve me përvojë në shkollat 9-vjeçare dhe të mesme të Tiranës. Pjesëmarrësit kanë ndjekur rregullisht të premteve praktikën profesionale, e cila do të vazhdojë dhe përgjatë muajve në vijim.

Me shumë përkushtim dhe këmbëngulje do të ecim së bashku dhe në modulet e tjera të programit të trajnimit, për ta përmbyllur me sukses procesin e certifikimin për drejtues të IAP.