Nënshkruhet Marrëveshja e Bashkëpunimit ndërmjet Shkollës së Drejtorëve (CSL) dhe Qendrës “International Business Education” (BEINT) në Prishtinë-Kosovë.

Posted on 18/11/2021
Në datë 12 Nëntor 2021, në ambientet e Shkollës së Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar (CSL) në Tiranë-Shqipëri u nënshkrua Marrëveshja e Bashkëpunimit ndërmjet këtij institucioni dhe Qendrës “International Business Education” (BEINT) në Prishtinë-Kosovë.
Për Qendrën “Shkolla e Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar ” (CSL) në Tiranë-Shqipëri, marrëveshja u nënshkrua nga Drejtori Ekzekutiv z. Geron Kamberi ndërsa në emër të Qendrës “International Business Education” (BEINT) në Prishtinë-Kosovë, nënshkroi Drejtori Ekzekutiv z. Bujar Krasniqi.
Palët nënshkruese ranë dakort të bashkëpunojnë për rritjen e cilësisë së formimit profesional të drejtuesve të institucione të arsimit parauniversitar, aspirantëve dhe mësuesve në vendet respektive, veçanërisht nëpërmjet shkëmbimit të eksperiencave.
Qendra “Shkolla e Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar” (CSL) angazhohet përmes kësaj marrëveshje të ofrojë përvojën, modelet e praktikat e eskpertët e saj për të ndërtuar në Kosovë një model të ngjashëm si Programi i Trajnimit të Detyrueshëm përgatitor (CPD) për drejtues të arsimit parauniversitar që zbatohet në Shqipëri që prej vitit 2019.