Nisi Programi i Trajnimit të Detyrueshëm Përgatitor për brezin e 3-të të pjesëmarrësve që do certifikohen për drejtimin e IAP

Posted on 29/03/2021

Më datë 26 Mars 2021 nisi zyrtarisht  Programi i Trajnimit të Detyrueshëm Përgatitor për brezin e 3-të  të pjesëmarrësve që janë drejtorë/ nëndrejtorë shkollash në detyrë dhe mësues që synojnë të bëhen drejtues në të ardhmen. Ata janë përzgjedhur pas aplikimeve të paraqitura pranë Qendrës “Shkolla e Drejtorëve të  Institucioneve të Arsimit Parauniversitar” (CSL).

Për shkak të zbatimit të protokollit anti Covid-19,  modulet teorike të Programi i Trajnimit të Detyrueshëm Përgatitor  për drejtues të institucioneve të arsimit parauniversitar do të ofrohen online përmes Platformës EduforSchool.

Brezi i 3-të i pjesëmarrësve që do të ndjekin Programin e Trajnimit përbëhet nga 215 kandidatë që u përkasin 194 shkollave publike e jo publike nga të katër Drejtoritë Rajonale të Arsimit Parauniversitar (DRAP) të Durrësit, Fierit, Korçës e Lezhës dhe 47 Zyrave Vendore Arsimore (ZVA) që shtrihen  në të gjithë vendin.

Për herë të parë që nga fillimi i këtij programi, pjesëmarrësit që do ta ndjekin atë kanë një shtrirje të gjerë gjeografike në të gjthë Shqipërinë.

Në pamundësi për të zhvilluar një ceremoni zyrtare  për shkak të pandemisë Covid-19, ju ftojmë të ndiqni përmes Video-Mesazheve,  fjalët  përshëndetëse për pjesëmarrësit e brezit të 3-të  të Programit të Trajnimit të Detyrueshëm Përgatitor nga ana e Zj. Evis Kushi, Ministre e Arsimit, Sportit dhe Rinisë; Z. Martin Mata, Bashkëdrejtor Ekzekutiv i Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim AADF; Z. Geron Kamberi, Drejtor Ekzekutiv i Shkollës së Drejtorëve dhe Zj. Majlinda Ziu, drejtore e Gjimnazit “Sami Frashëri” një nga ish- pjesëmarrëset e brezit të parë të Shkollës së Drejtorëve që u certifikuan me sukses, pasi ndoqën Programin e Trajnimit të Detyrueshëm për drejtues të arsimit parauniversitar në periudhën 15 Nëntor 2019- 18 Korrik 2020.