Nisja e Programit të Trajnimit të Detyrueshëm Përgatitor për Certifikim për Drejtues të IAP

Posted on 18/10/2019

Shkolla e Drejtorëve të IAP në bashkëpunim me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim dhe Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë organizuan në datën 16 Tetor 2019 ceremoninë e Nisjes së Programit të Trajnimit të Detyrueshëm Përgatitor për Certifikim për Drejtues të IAP.

Ky aktivitet shënon fillimin e programit të trajnimit për drejtuesit dhe aspirantët për drejtues, me qëllim zhvillimin profesional dhe certifikimin e drejtuesve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar në Shqipëri.

Programi i trajnimit do të nisë në muajin nëntor, me 48 pjesëmarrësit e parë të përzgjedhur, mësues, drejtor dhe nëndrejtor nga shkollat e rrethit të Tiranës. Ky program trajnimi është bazuar në kurrikulën e hartuar sipas “Standardeve Profesionale për Performancën e Drejtuesve të IAP”, i dalë nga “Studimi i Vlerësimit të Nevojave të Drejtuesve në sistemin tonë të arsimit parauniversitar”.

Programi i trajnimit i mbështetur në modelin e suksesshëm të Programit të Lidershipit në Izrael, synon të rritë kapacitetet drejtuese përmes moduleve si: Zhvillimi i vizionit dhe strategjisë për përmirësimin e institucionit, Udhëheqja efektive dhe zhvillimi i programit mësimor, Menaxhimi efektiv i burimeve njerëzore dhe financiare, Ndryshimet e legjislacionit shqiptar në arsim, Udhëheqja e bashkëpunimit me prindërit dhe komunitetin etj.
Në përfundimin me sukses të programit të trajnimit dhe provimit të certifikimit, kandidatët do të pajisen me certifikatë për drejtimin e Institucionit të Arsimit Parauniversitar.

Përgjatë vitit të ardhshëm e në vijim programi i trajnimit do të shtrihet në të gjithë qytetet e Shqipërisë.