Nisja e Studimit të Vlerësimit të Nevojave të Drejtuesve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar

Posted on 10/06/2019

Në datën 18 Dhjetor 2018, Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) dhe Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR) paraqitën fillimin e aktivitetit të Qendrës “Shkolla e Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar (IAP)” si dhe fillimin e studimit të vlerësimit të nevojave të drejtuesve të IAP në mbarë vendin.

Studimi do të vlerësojë nevojat për zhvillimin profesional të drejtuesve dhe pritet të publikojë gjetjet dhe rekomandimet përfundimtare në prill 2019. Ky raport synon të shqyrtojë dhe të rishikojë Standardet më të fundit të Vlerësimit për Drejtuesit e IAP në Shqipëri dhe dokumentet e tjera që lidhen me rolin e drejtuesit të IAP. Raporti do të sigurojë një analizë të situatës dhe rekomandimet për zhvillim profesional të nevojshëm për arritjen e standardeve të dakortësuara, duke marrë parasysh fazat e mëposhtme të zhvillimit të kapaciteteve: Njohuritë akademike të universiteteve që ofrojnë këto programe, Trajnimin e të gjithë kandidatëve që plotësojnë kriteret për ndjekjen e trajnimit, Zhvillimin e vazhdueshëm profesional; Vlerësimin dhe dhënien e rekomandimeve mbi punësimin; Vlerësimin e performancës dhe procesin e shkarkimit të drejtuesve të IAP në Shqipëri. Vlerësimi dhe rekomandimet duhet të përfshijnë, gjithashtu, nevojën për zhvillimin profesional të të gjithë aktorëve të përfshirë në proceset e mësipërme.

Në veprimtari morën pjesë z. Aleksandër Sarapuli dhe z. Martin Mata, Bashkëdrejtorë Ekzekutivë të AADF; znj. Besa Shahini, zëvendësministër, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë; anëtarët e Bordit Drejtues të Shkollës së Drejtorëve të IAP; përfaqësues nga Drejtoritë dhe Zyrat Arsimore në të gjithë vendin; drejtorë të shkollave dhe përfaqësues të Institucioneve të Arsimit të Lartë publik dhe privat. Ekipi i përzgjedhur për të kryer këtë studim përbëhet nga ekspertë ndërkombëtarë dhe lokalë në fushën e udhëheqjes arsimore. Gjatë vitit 2019, Shkolla e Drejtorëve të IAP do të zhvillojë kurrikulën e trajnimit; do të përcaktojë kohëzgjatjen e trajnimit dhe kriteret për personat që do të trajnohen dhe do të certifikohen; si dhe trajnimin e stafit akademik të Institucioneve të Arsimit të Lartë që do të ofrojnë shërbimin e trajnimit në qytete të ndryshme të vendit.