Përfundon semestri i parë (16 Tetor – 19 Dhjetor 2020) i Programit të Trajnimit të Detyrueshëm Përgatitor për Certifikimin e Drejtuesve të IAP për Brezin e 2-të të kandidatëve.

Posted on 14/01/2021

Qendra “Shkolla e Drejtorëve të Arsimit Parauniversitar” (Center for School Leadership – CSL) përmbylli me sukses semestrin e parë (16 Tetor – 19 Dhjetor 2020) të Programit të Trajnimit të Detyrueshëm Përgatitor për Certifikimin për Drejtues të IAP (CTP) për brezin e 2-të të kandidatëve të përzgjedhur për t’u trajnuar në këtë program.

Semestri i parë u ndoq nga 209 pjesëmarrës që janë përzgjedhur nga 264 aplikantë të cilët do të vazhdojnë të ndjekin edhe për 6 muaj (dy semestra) Programin e Trajnimit të Detyrueshëm (CTP) për t’u certifikuar si drejtues të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar (IAP).

Në këtë numër pjesëmarrësish përfshihen 96 drejtorë, 61 nëndrejtorë shkollash në detyrë dhe 52 mësues kandidatë që synojnë të konkurojnë për t’u bërë drejtues të ardhshëm të shkollave. Ata u përkasin shkollave publike e jo-publike të arsimit të mesëm të ulët dhe arsimmit të mesëm të lartë të Drejtorisë Rajonale të Arsimit Parauniversitar (DRAP)- Durrës dhe më konkretisht 131 pjesëmarrës nga ZVAP Tiranë, ZVAP Kamëz, ZVAP Vorë, ZVAP Shijak, ZVAP Durrës, ZVAP Kavajë dhe 78 pjesëmarrës nga Drejtoria Rajonale të Arsimit Parauniversitar (DRAP)- Korçë e më konkretisht nga ZVAP Elbasan, ZVAP Librazhd, ZVAP Gramsh, ZVAP Prrenjas, ZVAP Rrogozhinë, ZVAP Cërrik.

Modulet e trajnimit për semestrin e parë u zhvilluan të ndarë në 8 grupe me nga 26 pjesëmarrës të ndara respektivisht 4 në Tiranë, 2 në Durrës dhe 2 në Elbasan. Trajnimet u ofruan nga trajnerët pjesë e stafeve akademike të Fakultetit të Shkencave Sociale në Universitetin e Tiranës, Universitetit “Barleti” (Tiranë), Fakultetit të Edukimit të Universitetit “Aleksandër Moisiu” (Durrës) dhe Fakultetit të Shkencave të Edukimit të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” (Elbasan).

Përfshirja e trajnerëve të huaj në Programin e Trajnimit të Detyrueshëm Përgatitor për Certifikimin për Drejtues të IAP, rezultoi të ishte një eksperiencë e suksesshme në trajnimin e brezit të parë të pjesëmarrësve. Në vijim të kësaj eksperience të suksesshme, Shkolla e Drejtorëve të IAP rriti përfshirjen e stafit të trajnues të huaj në semestrin e parë me rreth 30% orëve të trajnimit të moduleve të ofruara për pjesëmarrësit pranë Universitetit “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan dhe Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës.

Për shkak të situatës së pandemisë Covid-19, modulet e trajnimit për semestrin e parë u zhvilluan online përmes platformës Edu4School që menaxhohet nga Qendra “Shkolla e Drejtorëve të Arsimit Parauniversitar” (Center for School Leadership- CSL). Megjithë situatën e veshtirë shkaktuar nga pandemia e Covid-19, praktika profesionale e cila përbën një element thelbësor të programit të trajnimit u zhvillua në 24 shkolla të arsimit të mesëm të ulët dhe të lartë të përzgjedhura nga Shkolla e Drejtorëve të IAP në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit Sportit dhe Rinisë në ZVAP Tiranë, Durrës, Kavajë, Elbasan si shkollat që përfaqësojnë praktika të suksesshme të lidershipit të drejtuesve të tyre dhe me arritje akademike të spikatura.

Semestri zgjati 10 javë kalendarike, 162 orë në total midis teorsë dhe praktikës. Modulet e ofruar gjatë këtij semestri ishin si më poshte:

Moduli 1: Zhvillimi i shkollës: Vizioni dhe strategjia, menaxhimi i ndryshimit (54 orë në total: 36 orë në auditor dhe 18 orë praktikë)

Moduli 2: Drejtimi pedagogjik i mbështetur në të dhëna, 36 orë

Moduli 3: Diagnoza pedagogjike e shkollës, 72 orë.

Për të siguruar një trajnim sa më cilësor dhe të pajtueshëm me objektivat e përgjithshëm dhe specifikë që Programi i Trajnimit të Detyrueshëm Përgatitor ka, gjatë zhvillimit të semestrit të parë të programit të trajnimit “Shkolla e Drejtorëve të IAP” realizoi një proces  vëzhgimi dhe vlerësimi të ecurisë së tij.

Pjesë e këtij procesi ishte “Analiza e Vetëvlerësimit të Pjesëmarrësve”, ku nëpërmjet një pyetësori që iu dërgua çdo pjesëmarrësi u vlerësua niveli i aftësive individuale dhe profesionale që pjesëmarrësit zotëronin para fillimit të programit trajnimit, sipas këndvështrimit të tyre. Në këtë mënyrë u krijua një pasqyrë e saktë mbi gjendjen para trajnimit dhe nevojat që kanë individët për të përparuar, gjë e cila ka rëndësi të madhe në përmirësimin dhe rritjen e efektivitetit të  trajnimeve të ardhshme.

Në vijim të procesit të vëzhgimit, në javën e pestë të semestrit u zhvillua vlerësimi nga ana e pjesëmarrësve në programin e trajnimit të moduleve dhe trajnerëve të përfshirë në semestrin e parë.

Ky vlerësim bazohet në nivelin e kënaqësisë së pjesëmarrësve mbi përmbajtjen e moduleve të trajnimit, mënyrën e zhvillimit të programit të trajnimit, plotësimin e pritshmërive të pjesëmarrësve në lidhje me aftësitë dhe njohuritë e përftuara në modulet e trajnimit, kompetencat dhe aftësitë trajnuese të trajnerëve etj.

Ky vlerësim shërben si bazë për analizën e përmbushjes së objektivave të trajnimit dhe nxjerrjen e rekomandimeve për përmirësimin e cilësisë së programit në vazhdim.

Ndër gjetjet kryesore të raportit të vlerësimit të semestrit të parë për brezin e 2-të të kandidatëve të përzgjedhur që po ndjekin Programin e Trajnimit të Detyrueshëm (CTP) për të qenë drejtues të certifikuar të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar (IAP), mund të përmendim si më poshtë:

90.8% e pjesëmarrësve kanë shprehur mendim pozitiv mbi përmbajtjen, trajnerët dhe programin në tërësi.

Për shkak të kufizimeve shkaktuar nga Covid-19 klasat kaluan online. Pavarësisht vështirësive, rreth 90% e pjesëmarrësve i kanë ndjekur të gjitha klasat online, ndërsa pjesa tjetër ka humbur vetëm 1 ose 2 klasa. Në total klasat online janë vlerësuar me rreth 4 pikë nga 5, dhe 74% e pjesëmarrësve kanë mendim pozitiv për to.

92% e pjesëmarrësve i kanë ndjekur përmes pranisë fizike dhe online seancat e praktikës profesionale në shkollat e përzgjedhura  për këtë qëllim në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë.

Një risi këtë vit ishte integrimi në program i lektorëvë të huaj me eksperiencë në fushën e menaxhimit të arsimit.

Në përgjithësi seancat e trajnimit ku morën pjesë lektorët e huaj kanë vlerësime të mira nga ana e pjesëmarrësve në program ku 50% e tyre shprehen se janë shumë të kënaqur. Në total lektorët e huaj vlerësohen më shumë nga pjesëmarrësit që janë kandidatë për drejtues shkollash (mësues) me 2.7 pikë nga 4, ndërsa të tjerët këtë vlerësim e kanë 2.6

Një pjesëmarrës në këtë program që aktualisht është drejtor shkolle në ZVA Kavajë, shprehet se:

Ky program po kontribuon cilësisht në dijen time profesionale. Nga ana tjetër përmes tij po marr informacionin e nevojshëm teorik për cështje të menaxhimit e drejtimit në shkollë duke e harmonizuar me diskutimet me kolegët pjesëmarrës për eksperiencat e tyre gjatë praktikës profesionale Mjedisi është bashkëpunues dhe përveç procesit të trajnimit ne mund të ndajmë ide së bashku dhe të përkushtohemi profesionalisht në misionin që na bashkon.”

Semestri i dytë i Programi i Trajnimit të Detyrueshëm (CTP) për brezin e 2-të të kandidatëve të përzgjedhur për të qenë drejtues të certifikuar të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar (IAP), do të nisë në datën 15 janar 2021.

Modulet teorike do të vazhdojnë të zhvillohen online nëpërmjet platformës Edu4School që administron Qendra “Shkolla e Drejtorëve të Arsimit Paraunuversitar” (Center for School Leadership – CSL)  ndërsa Praktika Profesionale (Experiential Learning), do të vijojë të realizohet në shkollat e përzgjedhura  për këtë qëllim në bashkëpunimin me Ministrinë e Arsimit, Sportit e Rinisë (MASR).